Kryetari i OVL e UÇK-së, Hysni Gucati ka bërë të ditur se është kërcënuar nga një komentuar në rrjetet social.

Gucati përmes një postimi në rrjetin social në Facebook ka shkruar se një komentues i quajtur Eqerem Avdullahu paska shkruar me një gjuhë linçuese, duke kërkuar "pushkatimin" e tij.


“Përballë gjuhës së ulët që qarkullon në rrjete sociale, heshtja nuk është opsion, jo sepse ato fjalë peshojnë, por sepse opinioni publik duhet të shohë dallimin mes atyre që dhanë gjithçka për këtë tokë dhe atyre që guximin e vetëm e kanë pas një ekrani. Një komentues i quajtur Eqerem Avdullahu paska shkruar me një gjuhë linçuese, duke kërkuar ‘pushkatimin’ tim”, ka shkruar Gucati.

Tutje ai shtoi se sot, pikërisht më 3 qershor, mbushen plot 27 vite nga dita kur është lagosur rëndë në Malet e Berishës, duke luftuar ballë për ballë me armikun për lirinë e Kosovës.

“Shenjat në trupin tim janë dëshmitare të asaj kohe kur vendosej fati i atdheut, ashtu siç ishte edhe përballja ime me dinjitet në Hagë për të mbrojtur pastërtinë e Luftës Çlirimtare. Është e lehtë të kërkosh "pushkatime" virtuale sot në liri, një liri që u pagua me gjak e sakrifica. Unë mbetem ai që kam qenë gjithmonë, me ballin lart, i palëkundur dhe krenar për rrugën që kemi kaluar”, ka shkruar ndër të tjera Gucati. /Telegrafi/