LAJMI I FUNDIT:

Kërkohet që komunat që kanë operime minerare të marrin 20% të tantiemës

Kërkohet që komunat që kanë operime minerare të marrin 20% të tantiemës

Komisioni për Zhvillim Ekonomik ka shqyrtuar raportin me rekomandime për Projektligjin për Miniera dhe Minerale, ku është kërkuar që të gjitha komunat, në të cilat zhvillohet aktivitet minerar, ta marrin 20 përqind të tantiemës.

Sala Berisha-Shala, kryetare e këtij Komisioni tha se kanë kërkuar që 20 përqind e rentës të ri-alokohet nga buxheti qendror për buxhetin e komunave, ku zhvillohet aktiviteti minerar, i dedikuar në mënyrë specifike në zhvillim të komunitetit, në fushën e mbrojtjes së mjedisit infrastrukturës sportit, shëndetësisë dhe arsimit.

Ndërsa tha se këtë dispozitë ligjore e kanë dhe dy ligje tjera, ai për Trepçën dhe Ligji për Obiliqin.

Edhe pse një gjë të tillë, e ka kundërshtuar Komisioni për Buxhet dhe Financa, Komisioni për Zhvillim Ekonomik i dha mbështetje propozimit të vet, që 20 për qind e tantiemës t’i ndahet komunave ku ka operime minerare.

“Pse të mos jetë dhe në këtë Projektligj. Kjo dispozitë që është e paraparë dhe te ligji i Trepçës dhe te Ligji i Obiliqit, janë në kundërshtim me ligjin e menaxhimit të financave publike. Mirëpo duhet t’iu paraprijë ndoshta që të ndryshohet diçka edhe te ligji për menaxhimin e financave publike. Derisa ata komuna ku ka operime minerare, që kanë të bëjnë me mineralet e plumbit dhe zinkut, si komunat veriore të Kosovës, ka Mitrovica edhe jugore dhe Artana dhe Obiliqi, ku shfrytëzohet linjiti pse mos të përfitojnë dhe komunat tjera në të ardhmen bie fjala Dukagjini, edhe atje ka dhe qymyr bile me një cilësi më të lartë se sa baseni i Kosovës që është i njohur në gjuhën e minierave. Pse mos të përfitojë edhe Gjakova dhe Rahoveci edhe Dardana, Drenasi, Lipjani, Podujeva dhe Prishtina, të mos përfitojnë nga kjo rentë minerare dhe të bëhet një selektim i tillë, vetëm pë r disa komuna. Unë mendoj që në qoftë se heqim këtë dispozitë ligjore, krijojmë me ligj një pabarazi ligjore, karshi qytetarëve dhe komunave ku kemi operime minerare. Ky është arsyetimi im pse duhet të mbetet propozimi i komisionit funksional, e të mos mbështetet propozimi i komisionit të buxhetit…Duhet të mbetet propozimi i komisionit të buxhetit që 20 për qind e tantiemës të përfitojnë të gjitha komunat e Kosovës, ku ka operime minerare”, tha Berisha-Shala .

Deputetja e LDK-së Hykmete Bajrami tha se nuk pajtohet që të futet në Ligjin për Miniera dhe Minerale, që secila komunë ta ketë të drejtën e ndarjes 20 përqind të tantiemës.

“Një dispozitë e tillë e propozuar nga ne si grup punues në ligj, është në kundërshtim të plotë me ligjin për menaxhim të financave publike dhe përgjegjësitë. Ishte dashur që kjo çështje të trajtohet në mënyrë pak më të gjanë.. Nëse dëshirojmë që të ketë dispozita të tilla me ligjet respektive, atëherë fillimisht ne duhet me kërkuar që me ndryshu ligjin për menaxhim të financave publike dhe përgjegjësitë . Ai ligj është ndryshuar me sa më kujtohet mua në qeverisjen e kaluar në vitin 2016 dhe nuk ka ndryshuar asgjë. Nëse kemi një ligj për Obiliqin dhe Trepçën sigurisht që janë ligje specifike. Mirëpo me fut tash në ligjin për minierave dhe minerale, që secila komunë me pas të drejtën e ndarjes 20 për qind të tantiemës, po besoj që nuk po pajtona. Mirëpo duhet ta kemi parasysh që edhe me arsyetimin që do e bëjë komisioni për buxhet dhe financa, në interpelancë gjasat janë minimale që di çka e tillë të kaloj”, tha deputetja Bajrami.

Ndërkaq Mimoza Kusari Lila tha se duke pasur dhe një përvojë si kryetare komune, është pro që komuna të kenë fonde më tepër dhe për trajtim të hapësirave dhe mbetjeve qoftë minerare apo industriale.

“Duke qenë se kam kaluar nëpër përvojën, në të cilën komunat ballafaqohen me mungesë të buxhetit, në veçanti për çështje mjedisore dhe pastrimit, rikuperimit të cilat ndodhin ose si pasojë e aktivitetit ekonomik, ose si pasojë e një praktike jo të shëndoshë të krijimit të deponive ilegale, nëpër komuna. Ministria e mjedisit lë shumë për të dëshiruar në raport më aktivitetin që ka në terren në nivel të Kosovës. Ne si Komison nuk dojmë më kalu diçka që mandej kthehet apo nuk kalon në seancë kur trajtohet ligji. Por është mirë me trajtu shumë më seriozisht si çështje, qoftë dhe në një ligj tjetër të ndarë. Unë jam në favor që komunat që kanë kësi lloj aktiviteti qoftë minerar, ose industrial të natyrës tjetër të kenë buxhete më të mëdha, të drejtpërdrejta në mënyrë që ti sanojnë demet që krijohen”, tha Kusari-Lila.

Ndërkaq Dardan Sejdiu i PSD-së tha se nëse ky ligj do të trajtohet kështu në Kuvend, do të kenë telashe të jashtëzakonshme.

“Nëse kështu e trajtojmë këtë ligj në kuvend do të kemi telashe të jashtëzakonshme. Sepse atëherë kjo nuk do të jetë ligj për miniera dhe minerale ma, por do të jetë ligj se qysh i trajtojmë minierat dhe mineralet në një pjesë të caktuar dhe qysh i trajtojmë në një pjesë tjetër të caktuar”, tha ai.

Ndryshe, Komisioni për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti, Industri dhe Zhvillim Rajonal ka votuar dhe Raportin vjetor të Komisionit të Pavarur për Miniera dhe Minerale për vitin 2017. /Kp/Telegrafi/