Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka reaguar lidhur me përcjelljen dhe kërcënimin e ekipit të Tëvë1 sot në komunën e Zveçanit.

Në reagimin e saj AGK bënë të ditur se sot është njoftuar nga ekipi i televizionit në fjalë për këtë rast.


“Gazetari Venhar Isufi dhe kameramani Valmir Gashi kanë raportuar se ata janë ndjekur nga një veturë e tipi Audi A4, ngjyrë e zezë e cila është ndaluar para objektit të komunës së Zveçanit, dhe aty një person u ka thënë "nëse donin foto me zyrtarin policor, G.K", për të cilin kishte një raport televiziv një natë më parë.

AGK-ja e dënon fuqishëm këtë sjellje të individëve që janë pjesë e organeve të sigurisë së Kosovës, dhe e vlerëson si mënyrë të papranueshme të frikësimit ndaj gazetarëve për ta bërë punën e tyre”, thuhet në reagim.

AGK thekson se ekipi i gazetarëve e ka raportuar rastin në Polici, dhe ka kërkuar nga organet e rendit hetim të plotë dhe të shpejtë.

“Gazetarët duhet te jenë në gjendje ta bëjnë punën e tyre të papenguar, në secilën rrethanë”, ka theksuar AGK. /Telegrafi/