Keni mbi 40 vjeç dhe dëshironi të humbni peshë? Vetëm një zakon mund t’ju ndihmojë

Hulumtimet tregojnë se mbipesha tek gratë është e zakonshme ndërmjet moshës 40 dhe 65 vjeç, por mos u shqetësoni - ka lajme të mira
Humbja e peshës është një sfidë e vërtetë, por pas të dyzetave ajo mund të marrë një kuptim krejtësisht të ri. Ndryshimet hormonale, metabolizmi më i ngadalshëm dhe mungesa e kohës për ushqim të rregullt e ushtrime, e bëjnë trupin të duket sikur “punon kundër jush”.
Nutricionistët thonë se ekziston një mjet i fuqishëm që mund t’ju ndihmojë në këtë betejë, mbajtja e një ditari ushqimor.
Mbajtja e ditarit ushqimor ndihmon në kontrollin e porcioneve
Në një botë ku porcionet e ushqimit po bëhen gjithnjë e më të mëdha, është shumë e lehtë të konsumoni më shumë kalori sesa mendoni. “Meqë humbja e peshës kërkon deficit kalorik, është mirë të përdorni një mjet për ndjekjen e ushqimit, në mënyrë që të kuptoni më mirë sa kalori konsumoni çdo ditë”, shpjegon nutricionistja Natalie Rizzo.
Ky mjet i thjeshtë ofron informacione thelbësore për sasinë e ushqimit që konsumoni dhe kur madhësia e porcioneve zvogëlohet, zvogëlohet automatikisht edhe numri i kalorive të futura.
“Matematika është matematikë. Shumë klientë të mi besonin se ‘hanin shëndetshëm’ dhe ‘bënin gjithçka si duhet’, por në fakt tepronin me ushqime ‘të shëndetshme’, gjë që sillte një tepricë të kalorive në total”, thotë nutricionistja Lauren Harris-Pincus.
Sigurisht, është e rëndësishme të konsumoni ushqim të shëndetshëm. Megjithatë, kur përpiqeni të humbni peshë, sasia mbetet po aq e rëndësishme sa cilësia. Edhe kur bëhet fjalë për ushqime të pasura me vlera ushqyese, është thelbësore të përqendroheni në madhësinë e porcioneve për të ruajtur një nivel të qëndrueshëm të kalorive, transmeton Telegrafi.

Ndihmon në zbulimin e kalorive të fshehura
Mbajtja e evidencës së ushqimit ju ndihmon të identifikoni kaloritë e fshehura dhe të kuptoni nëse po e ushqeni trupin në përputhje me qëllimet tuaja. Kështu, jo vetëm që mund të shihni vlerat ushqyese të ushqimeve - pra, ushqimet që ofrojnë më shumë lëndë ushqyese për më pak kalori, por edhe ato që përmbajnë “kalori boshe”.
Shton motivimin
Është vërtetuar shumë herë se shënimi i asaj që hani ndihmon në humbjen e peshës, qoftë për dieta afatshkurtra apo për rregullim afatgjatë të ushqyerjes. Studimet tregojnë se edhe mbajtja e shënimeve vetëm disa ditë në javë mund të ndihmojë ndjeshëm në uljen e peshës trupore.
Edhe pse lapsi dhe letra funksionojnë gjithmonë, përdorimi i aplikacioneve për ndjekjen e ushqimit mund të jetë veçanërisht efektiv. Studime të ndryshme e mbështesin këtë: një analizë tregoi se 74 për qind e njerëzve që përdornin aplikacione për të ndjekur ushqimin apo aktivitetin fizik arritën të humbnin peshë. /Telegrafi/


















































