Legjenda e futbollit brazilian, Adriano, ka reaguar ashpër publikisht ndaj një mashtruesi që arriti ta mashtrojë nënën e tij përmes një mesazhi të rremë në WhatsApp, duke i marrë më shumë se 15 mijë realë brazilianë (rreth 2400 euro).

Në një video që u bë virale në rrjetet sociale, ish-sulmuesi i Interit zbuloi se mashtruesi ishte paraqitur si vetë Adriano, duke pretenduar se kishte ndërruar numrin e telefonit.


Përmes këtij mashtrimi, ai arriti ta bindte nënën e tij, Rosilda Ribeiro, që t’i transferonte shumën e parave.

Adriano u shfaq i revoltuar dhe i prekur, duke i dërguar një paralajmërim të drejtpërdrejtë mashtruesit: paratë duhet të kthehen brenda 24 orëve, përndryshe do të përballet me pasoja.

“Nuk luhet me familjen time”, ishte mesazhi i qartë i ish-futbollistit, i cili përdori gjuhë të ashpër në reagimin e tij publik, duke treguar se është i vendosur ta çojë çështjen deri në fund.


Rasti i Adrianos është një tjetër shembull i mashtrimeve gjithnjë e më të shpeshta përmes aplikacioneve të komunikimit, ku autorët shfrytëzojnë emra të njohur dhe besimin familjar për të përfituar financiarisht. /Telegrafi/

telegrafi sport app