LAJMI I FUNDIT:

A kemi ende Anisa dhe Zhaneta në mesin tonë?

A kemi ende Anisa dhe Zhaneta në mesin tonë?
Ilustrim

Zilie Feçi

Jo më larg se të dielën që kaloi, në derën e apartamentit tim u ndje një trokitje e lehtë. E hutuar për shkak se ishte ende herët po të mendosh se e diela është një ditë pushimi, nuk ia vura veshin trokitjes. Por, një e dytë më bëri të ngrihem dhe përpara se ta hap kontrollova se kush mund të ish në atë orë.


Dy zonja, apo zonjusha nuk di ta them me saktësi, qëndronin në pritje të hapjes së derës. E hapa, dhe fjalia e parë me të cilën u ndesha ishte “keni 5 minuta kohë të më dëgjoni për…”. Sapo pashë në duart e tyre literaturat e “Kullës së Rojës”, shkëmbeva plot fjalë me mllef dhe gati ua përplasa derën në fytyrë.

I shkrova këto radhë për një fakt. Sepse, ende pa u shuar jehona e tragjedisë me dy viktima në zonën e Kombinatit në Tiranë, Dëshmitarët e Jehovait vijojnë misionin e tyre derë më derë.

Por, a ka të tjera Zhaneta, Anisa e Blerta në Shqipëri?! Besoj se ka plot. Në çdo cep të Shqipërisë. Diku janë si viktimat e tragjedisë për shkak të varfërisë, diku për shkak të vetmisë, e në jo pak raste për shpëlarje të trurit përmes sekteve fetare që të ringjallin me vaj e uthull.

Shqipëria ka ende shumë Zhaneta, Anisa e Blerta për aq kohë sa shoqëria përballet me disa nga dukuritë që po shfaqen me të gjithë vrullin.

Dhuna fizike dhe verbale, vjedhjet, sjelljet kriminale, prirjet për të shkelur ligjin. Sigurisht… kjo “nuk ndodh vetëm tek ne”, meqë shumë e pëlqejnë këtë mendim mbështetës, por ne për këtë shoqëri tonën po flasim… Sot janë me mijëra prindër shqiptarë që shantazhohen nga kërkesat e fëmijëve të tyre, që intimidohen nga shprehjet “dua” dhe “tani”. Janë me mijëra prindërit shqiptarë që jetojnë të dhunuar nga fëmijët e tyre që rebelohen pasi i kanë shantazhuar në mënyrë të përditshme.

Prej vitesh të rinjtë tanë janë pjesë e një sistemi arsimor dhe edukues konfuz, të pasigurt me një paaftësi të shpërndarë në mënyrë të frikshme, një sistem arsimor që nuk të shpërblen asnjëherë dhe që po degradon edhe familjen.

I kujt është faji? Si erdhëm deri këtu? Sot jemi në pikën kur të rinjtë tanë ose duan t’ia mbathin ose ëndërrojnë të bëhen si disa që për shoqërinë nuk janë askushi.

Kjo shoqëria në të cilën bëjmë pjesë të gjithë nuk është interesuar për Zhanetën, Anisën e Blertën. Nuk e vuri “ujin në zjarr” asnjë fqinj kur nuk i shikonte më të dilnin në dyqanin e bukës, në shkallët e pallatit, në kafen e lagjes…! Pritëm të gjithë deri në fund për tragjedinë ndër më të rëndat në Shqipëri për sa i përket motiveve për të cilat ka ndodhur.

Sikur të mos mjaftonte çfarë ndodhi, vetë Kisha Ungjillore, apo edhe Dëshmitarët e Jehovait e hoqën përgjegjësinë nga vetja. Kisha Ungjillore doli me një deklarata, teksa tha se Zhaneta Josifi dhe dy vajzat e saj Anisa dhe Blerta mund të kenë qenë frekuentuese, por jo anëtare të Kishës…!!

Por, a ka ende nëna dhe vajza edhe të shkolluara që besojnë verbërisht tek feja dhe filozofia e tyre se ringjallja është një proces që ndodh dhe se mund të jetë ndër të përzgjedhurit e Jezusit?!

Mendoj se ka plot dhe për këtë, detyrën për identifikimin e kemi të gjithë ne. Duke filluar nga fqinji, e deri tek shteti, nga policia, e deri tek ligjvënësi.

Parlamenti ende nuk ka një paketë të plotë ligjore për sektet apo organizatat fetare në Shqipëri, që pavarësisht kësaj veprojnë mbi 200 të tilla. Deri kur do të vazhdojë kështu…?!