Veprimtari Ibrahim Kelmendi ka folur për themelimin e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) dhe rolin e Ibrahim Rugovës gjatë viteve ’90, duke dhënë një vlerësim tejet kritik për ish-presidentin e Kosovës.

Kelmendi i ka bërë këto deklarata në Debat Plus të TV Dukagjinit, në kuadër të ciklit ekskluziv “Dosjet”.


Duke folur për themelimin e LDK-së, Kelmendi ka thënë se fillimisht e kishte mirëpritur krijimin e kësaj partie.

Madje, ai ka treguar se në mars të vitit 1990 kishte shtypur programin dhe formularin e anëtarësimit në LDK dhe i kishte shpërndarë gjatë një demonstrate të Lëvizjes në Bonn.

“Fillimisht e kam mirëpritur themelimin e saj. Bile, në mars 1990 i kam shtypur programin e formularin për anëtarësim në LDK dhe i kemi shpërndarë në demonstratë të Lëvizjes në Bonn”, ka deklaruar Kelmendi.

Sipas tij, këtë veprim nuk e kishin miratuar disa bashkëveprimtarë, por ai e kishte arsyetuar me nevojën që edhe shqiptarët që hezitonin të përfshiheshin në Lëvizje të angazhoheshin politikisht.

- YouTube www.youtube.com

“Bashkatdhetarët që tuten me u përfshi në Lëvizje, le të përfshihen në LDK, meqë do të politizohen”, ka thënë ai.

Kelmendi: Rugovën e kam takuar disa herë

Kelmendi ka treguar se Ibrahim Rugovën e kishte takuar disa herë gjatë viteve ’90.

Sipas tij, vizita e parë politike e Rugovës në Perëndim ishte aranzhuar nga Lëvizja në Oslo, ndërsa vizita e dytë, në verën e vitit 1990 në Bonn, ishte organizuar nga vetë Kelmendi.

“Vizitën e parë politike në Perëndim ia ka aranzhuar Lëvizja në Oslo. Meritorë ishin bashkëveprimtarët Berit Backer dhe Nufri Leka. Vizitën e dytë, në verë 1990, në Bonn, e kam aranzhuar unë”, ka deklaruar ai.

Kelmendi ka thënë se Rugovën e kishte takuar edhe dy herë në Bruksel, duke shtuar se dy takimet e fundit, sipas tij, kishin qenë “problematike”.

“E kam zhvlerësuar Rugovën si kuisling”

I pyetur për vlerësimin që kishte për Rugovën në atë kohë, Kelmendi ka dhënë një përgjigje të ashpër.

Ai ka deklaruar se tashmë e konsideron Rugovën “kuisling të një lloji unik”, duke pretenduar se Beogradi i kohës së Slobodan Millosheviqit e kishte angazhuar për ta “pacifizuar” rezistencën shqiptare.

“Tashmë të ndjerin Rugova e kam zhvlerësuar për kuisling të llojit unik, të cilin Beogradi millosheviqian e ka angazhuar për ta ‘pacifizuar’ rezistencën aktive shqiptare që pat marrë përmasa në vitin 1989”, ka thënë Kelmendi.

Ai ka pretenduar gjithashtu se Rugova ishte imponuar në krye të Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës nga Rrahman Morina, pavarësisht se, sipas tij, Rugova nuk ishte anëtar i kësaj organizate.

Kelmendi ka argumentuar qëndrimin e tij duke thënë se, nëse Rugova nuk do të kishte qenë kuisling, atëherë Millosheviqi nuk do të kishte mundur ta lejonte të zhvillonte veprimtari kundër Serbisë.

“Kur më hidhërohen tifozët e tij për këtë diskualifikim, ju them: ‘ose Rugova ishte kuisling, ose Millosheviqi ishte shqiptarofil i kamufluar’”, ka deklaruar ai.

Kelmendi ka përmendur edhe vilën e Rugovës në Velani, për të cilën ka pretenduar se mund t’i ishte dhënë nga Beogradi si shpërblim për kontributin e tij.

Në fund, Kelmendi ka thënë se, pavarësisht vlerësimit të tij për Rugovën, angazhimi i tij politik kishte pasur një rol të dobishëm në një fazë të mëvonshme, sidomos pas ndryshimit të politikës së Perëndimit ndaj Kosovës në vitin 1999.

Sipas tij, Rugova u përdor nga NATO-ja si figurë politike për të arsyetuar ndërhyrjen ushtarake kundër Jugosllavisë dhe bombardimet e vitit 1999./Tv Dukagjini