LAJMI I FUNDIT:

KEK-u padit OSHP-në për tenderin 218 mijë euro

KEK-u padit OSHP-në për tenderin 218 mijë euro

Organi Shqyrtues i Prokurimit (OSHP) ka urdhëruar Zyrën e Prokurimit të Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK) që ta shpërblejë me tender 218 mijë eurosh konsorciumin “Besa Secuarity & Geonet GPS”, derisa për këtë tender KEK-u ka në dispozicion vetëm 150 mijë euro buxhet

Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) ka paditur Organin Shqyrtues të Prokurimit Publik (OSHP), pasi që kjo e fundit ka urdhëruar Zyrën e Prokurimit të kompanisë më të madhe publike, KEK-ut, që të shpërblejë me tender prej 218 mijë eurosh konsorciumin “Besa Secuarity & Geonet GPS”, ndonëse për procesin e prokurimit “Furnizimi, instalimi dhe mirëmbajtja e pajisjeve në makineritë lëvizëse dhe në pompa të derivateve për monitorimin e shpenzimeve të derivateve”, KEK-u kishte paraparë një buxhet maksimal prej 150 mijë eurosh, shkruan sot gazeta ‘Zëri’.


Pasi që të gjitha kompanitë e përgjegjshme në këtë proces të prokurimit kishin ofruar çmim gati edhe një herë më të lartë sesa buxheti i paraparë, KEK-u ka kërkuar anulimin e këtij procesi, por një vendim të tillë ia ka anuluar Organi Shqyrtues i Prokurimit. Më 22 prill të vitit që lamë pas, KEK-u kishte shpallur tenderin “Furnizimi, instalimi dhe mirëmbajtja pajisjeve në makineritë lëvizëse dhe në pompa të derivateve për monitorimin e shpenzimeve të derivateve në KEK”.

Në atë kohë e pakënaqur me kriteret e vendosura në dosje të tenderit, kompania “PBC”, më 23 qershor të vitit që lamë pas, kishte bërë ankesë në OSHP. Në ankesën e kompanisë në fjalë thuhet se Autoriteti Kontraktues (AK), në këtë rast Korporata Energjetike e Kosovës, përmes kritereve të vendosura dëmton kompaninë “PBC” dhe favorizon kompaninë tjetër. /Zëri/Telegrafi/