LAJMI I FUNDIT:

KEDS prezantoi Planin Zhvillimor të Rrjetit të Shpërndarjes

KEDS prezantoi Planin Zhvillimor të Rrjetit të Shpërndarjes

Mbi 3500 trafostacione te reja apo që do të rinovohen , mbi 2000 kilometra rrjet i ri përmes investimeve që shkojnë deri në 300 milionë euro të cilat do të ndryshojnë për të mirë jetën e secilit qytetar të Kosovës. Plani parasheh eliminimin e të gjitha lokaliteteve me rënie të tensionit, zgjerimin dhe përforcimin e rrjetit në bazë të kërkesave të popullatës dhe ekonomisë dhe uljen e humbjeve teknike e komerciale.

KEDS ka prezantuar të mërkurën Planin Zhvillimor të Rrjetit të Shpërndarjes deri në vitin 2025. Për më pak se një dekadë, investime do të bëhen në tërë territorin e vendit dhe rrjeti do të jetë në standarde të krahasueshme me vendet evropiane që siguron shërbime cilësore për secilin konsumator.
Në bazë të planit, parashihet të vendosen 3500 trafostacione te reja apo që do të rinovohen dhe mbi 2000 kilometra rrjet i ri, që kontribuojnë në modernizimin dhe avancimin e Rrjetit të Shpërndarjes në standarde botërore.


“Është kënaqësi e madhe kur ky vizion bën ndryshime të mëdha për të mirë, për një vend të tërë dhe për të gjithë qytetarët e tij”, tha George Karagutoff, Drejtor Gjeneral i KEDS-it. “Këto ndryshime i filluam që nga dita e parë por tani me këtë plan, ky vizion do të implementohet në mënyrë sistematike në mbarë vendin”, shtoi ai.

KEDS, paralel me intervenimet emergjente duke vendosur trafo dhe rrjet të ri në zonat akute, bëri edhe analiza profesionale që trasojnë rrugën për investime sistematike. Në këtë linjë, në bashkëpunim të plotë me partnerët energjetik, siç është ZRRE dhe të tjerët, KEDS angazhoi kompaninë suedeze me operim global që të përpilonte Planin Zhvillimor për Rrjetin e Shpërndarjes.

“Ky plan ngërthen në vete dy faktorë që janë pjesë e përmbushjes së misionit dhe vizionit të KEDS-it: Si të ndikojmë pozitivisht më së miri për popullin e Kosovës dhe cila është teknologjia dhe teknikat më të mira për modernizimin e rrjetit. Këta dy faktorë do të jenë udhëheqës në dekadën e investimeve, ku secili konsumator do të ndjejë dorën e KEDS-it, duke pasur shërbime kualitative”, theksoi Karagutoff.

Vendosmëria e KEDS-it për investime ka zanafillën e vet qysh ditën e privatizimit të Rrjetit të Shpërndarjes nga konzorciumi Calik/Limak. Sot, premtimet për investimin e 300 milionë eurove po realizohen çdo ditë.

Plani Zhvillimor i KEDS-it parasheh eliminimin e të gjitha lokaliteteve me rënie të tensionit në tërë territorin e vendit, zgjerimin dhe përforcimin e rrjetit në bazë të kërkesave të popullatës dhe ekonomisë dhe uljen e humbjeve teknike e komerciale. Pra, benefitet e secilit qytetar të Kosovës janë të shumanshme. Kjo është bërë në partneritet edhe me Qeverinë e Kosovës.

“Ne shohim çdo ditë që KEDS-i po investon në tërë Kosovën. Kjo është punë e mirë dhe për tu përshëndetur. Prania kaq e madhe e kryetarëve të komunave sot këtu e tregon rëndësinë e këtij plani. Në të njëjtën kohë ne kemi kuptuar nga takimet me KEDS dhe këshilltari nga IFC se që nga privatizimi inkasimi ka shënuar rritje, përderisa humbjet janë zvogëluar. Ky është edhe obkjektivi ynë i përbashkët dhe një hap i madh përpara”, tha ministri i Zhvillimit Ekonomik, Blerand Stavileci.

KEDS është kompani që vepron në bashkëpunim të plotë me ZRRE-në dhe akterët tjerë. Në këtë linjë është edhe plani zhvillimor që do t’ia ndryshojë përfundimisht pamjen energjetike Kosovës. ““Këto investime do të modernizojnë rrjetin e shpërndarjes. Dëshiroj ta falënderoj KEDS-in për këtë punë dhe për bashkëpunimin e vazhdueshëm me të gjitha palët e invovluara ”, tha Enver Halimi, kryetar i bordit të ZRRE-së”, tha Enver Halimi, kryetar i bordit të ZRRE-së.

Investimet e KEDS-it kanë nisur qysh në vitin 2013. Deri në tremujorin e parë të vitit 2016 janë investuar mbi 60 milionë euro, ku kanë përfituar mijëra konsumatorë shërbime më kualitative. Investimet kanë qenë të orientuar në zona akute, ato që kishin nevojë për zgjerim dhe përforcim të rrjetit dhe vendbabnimet me rënie të tensionit. /Telegrafi/