LAJMI I FUNDIT:

Me kë tallet presidenti serb?

Me kë tallet presidenti serb?

Nuk e di me kë tallet presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, kur sa herë demonstron tanket ruse – siç bëri më 28 nëntor – apo gjuajtësit e raketat e sofistikuara ruse me të cilat po pajiset ushtria serbe, deklaron se “armatimi rus forcon pozicionin e neutralitetit ushtarak të Serbisë”.

Tallet me Kosovën dhe me Shqipërinë që nuk protestojnë kurrë dhe heshtin (jo më të armatosen), megjithëse e dinë që Serbia armatoset në radhë të parë kundër shqiptarëve dhe presidenti serb përsërit rregullisht kërcënimet për luftë kundër shqiptarëve.


Shqipëria, të cilës as i bie ndërmend se në këtë situatë duhet të armatoset edhe ajo, është dalldisur nga hashashi serb i “Mini Shengenit” dhe nuk sheh dhe as dëgjon as tanket ruse, as raketat ruse dhe as bazat ushtarake ruse në Serbi. Por, është e përqendruar në organizimin e ahengjeve të të rinjve shqiptarë me të rinjtë serbë.

Presidenti serb tallet me BE-në e cila mbyll sytë dhe nuk reagon përse Rusia armatos ethshëm një shtet kandidat të BE-së dhe përse Serbia është importuesja më e madhe e armëve ruse në Evropë.

Tallet me NATO-n ku ka zyrtarë që flasin në hava dhe e mbështesin publikisht këtë lloj neutraliteti të çuditshëm të Serbisë, me raketa ruse dhe me baza ruse, dhe harrojnë që Serbia adoptoi doktrinën e “neutralitetit ushtarak” më 2007 – pikërisht që të mos hynte në NATO. Harrojnë që Serbia “neutrale” është i vetmi shtet ballkanik që ka nënshkruar traktat bashkëpunimi strategjik me Rusinë dhe është shtet vëzhgues në aleancën ushtarake ruse CSTO.

Nuk mund të mos bësh pyetjen historike: Pas mbarimit të Luftës së Dytë Botërore, fuqitë fituese i imponuan Gjermanisë së mundur kufizime në kapacitetet ushtarake, kufizime që ia mbajnë të lidhura duart edhe sot e kësaj dite.

Shtet agresor i mundur nga NATO më 1999 është edhe Serbia, por nuk është sqaruar kurrë përse nuk iu vunë kufizimet makinës së saj ushtarake që ndërmori katër agresione kundër popujve joserbë në ish-Jugosllavi dhe që po zhvillon një garë marramendëse armatimesh sot.

Nuk e di nëse në zyrat e BE-së dhe të NATO-s ka ende naivë, idiotë apo filorusë që autosugjestionohen me përrallën se Serbia duke u armatosur me armë ruse do të largohet nga Rusia.