Mosformimi i institucioneve lë Kosovën duarthatë - Shqipëria përfiton nga fondet e KE-së rreth 100 milionë euro

Komisioni Evropian ka lëshuar fonde të reja për Shqipërinë, Malin e Zi dhe Maqedoninë e Veriut, si pjesë e Planit të Rritjes së Bashkimit Evropian për Ballkanin Perëndimor, ndërsa Kosova nuk është përfshirë në këtë raund disbursimesh.
Por pagesat për Kosovën nuk janë të mundura pasi në Kosovë nuk ka institucione që me BE-në do të bënin marrëveshje formale, e ajo marrëveshje do të kalonte me 2/3 me ratifikim në Kuvendin e Kosovës.
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, e cila vizitoi Kosovën të mërkurën, ka ritheksuar para bashkëbiseduesve të saj domosdoshmërinë e formimit sa më të shpejtë të institucioneve, në mënyrë që edhe Kosova të nisë të përfitojë nga kjo pako.
Sipas njoftimit të Komisionit, fondet u miratuan për të shpërblyer reformat e ndërmarra nga partnerët që po përshtaten me standardet e BE-së.
Shqipëria do të marrë disbursimin e parë prej 99.3 milionë eurosh, nga të cilat 46.2 milionë euro do të shkojnë direkt në buxhetin e shtetit, ndërsa pjesa tjetër do të përdoret për projekte infrastrukturore përmes Kornizës së Investimeve në Ballkanin Perëndimor (WBIF).
Mali i Zi do të përfitojë 8.1 milionë euro, me 3.8 milionë euro që do të derdhen në buxhetin shtetëror, ndërsa Maqedonia e Veriut do të marrë 16 milionë euro, nga të cilat 7.4 milionë euro do të përdoren për qëllime buxhetore.
Fondet e mbetura për këto vende do të mbështesin projekte në fusha si transporti i qëndrueshëm, energjia e pastër, si dhe zhvillimi dixhital dhe njerëzor, në bashkëpunim me institucionet financiare ndërkombëtare.
Deri më tani, në kuadër të Planit të Rritjes, janë disbursuar gjithsej 99.3 milionë euro për Shqipërinë, 18.3 milionë euro për Malin e Zi, dhe 25 milionë euro për Maqedoninë e Veriut.
Plani i Rritjes ka për qëllim të përshpejtojë përgatitjet e vendeve të Ballkanit Perëndimor për anëtarësim në BE dhe të sjellë përfitime ekonomike para integrimit të plotë.
Megjithatë, Kosova vazhdon të mbetet jashtë listës së përfituesve, pasi ende nuk ka përmbushur kushtet e nevojshme për disbursim të fondeve./Telegrafi/




















































