LAJMI I FUNDIT:

KDI: Të ruhet stabiliteti social dhe ekonomik në Kosovë

KDI: Të ruhet stabiliteti social dhe ekonomik në Kosovë

Në situata të gjendjeve të jashtëzakonshme dhe të paparashikuara, si kjo pas përhapjes së pandemisë COVID-19, Qeveria e Kosovës, është e obliguar të shfrytëzoj të gjitha masat në dispozicion për të ruajtur stabilitetin ekonomik, si një parakusht për qëndrueshmëri sociale në vend. Kështu ka reagur Instituti Demokratik i Kosovës.

KDI thotë se, kufizimi i qarkullimit të qytetarëve dhe mbyllja e shumë bizneseve ka ndikuar në rënien e konsumit të përgjithshëm duke rrezikuar ekzistencën e shumë bizneseve private.


“Në Kosovë, kufizimi i qarkullimit të qytetarëve dhe mbyllja e shumë bizneseve ka ndikuar në rënien e konsumit të përgjithshëm duke rrezikuar ekzistencën e shumë bizneseve private, të cilët janë punëdhënësit kryesorë në Kosovë. Vlerësohet se mbi 260 mijë qytetarë të punësuar në sektorin privat rrezikohen të mbesin pa të ardhura derisa të vazhdojë kjo situatë”, thotë organizata.

Instituti thotë se mirëpret masat e qeverisë për të përkrahur qytetarët në programet sociale dhe shtyerjen e afateve për kthimin e kredive dhe pagesën e tatimeve.

“Këto masa duhet zgjeruar në mënyrë që të përkrahen edhe të punësuarit në sektorin privat, duke ditur që atyre dhe familjeve të tyre u mungojnë kursimet. Qeveria duhet të sigurojë të ardhura të qëndrueshme duke implementuar politika që rimbursojnë bizneset – punëdhënësit për shpenzimet e pagave të punëtorëve për muajin aktual apo për sa muaj pritet të vazhdoj kjo gjendje”, thotë instituti.

KDI shton se duhet të sigurohet stabiliteti i të ardhurave.

“Përmes kësaj mase do të sigurohej një stabilitet i të ardhurave për qytetarët dhe do të shmangej rreziku për mbylljen e shumë bizneseve, rrjedhimisht largimin e punëtorëve nga puna. Për t’u implementuar kjo masë dhe për t’I evituar mundësitë e keqpërdorimeve, Qeveria do të duhej të bazohej në deklarimet e të punësuarve për muajin paraprak në ATK”, shton KDI.

Në fund, KDI thotë se me qëllim të ruajtjes së stabilitetit social si një parakusht për funksionim e një demokracie të shëndetshme, kërkon nga Qeveria e Kosovës, të vlerësoj edhe ndikimin direkt përmes masave ekonomike për lehtësimin e ndikimit negative në jetën sociale si rrjedhojë e përhapjes së pandemisë COVID-19. /Telegrafi/