KB Bashkimi reagon me komunikatë zyrtare, sqaron incidentin që ndodhi ndaj Pejës

Klubi basketbollistik Bashkimi ka bërë një komunikatë zyrtare duke sqaruar incidentin që ndodhi ndaj Pejës të dielën.
Bashkimi ia doli që ta mposhtë Pejën me rezultat 84-78 për të marrë epërsinë prej 2-1 në serinë gjysmëfinale.
Sidoqoftë, kjo ndeshje pati një shije të hidhur kur pak sekonda pa përfunduar takimi, një përleshje e madhe që ndodhi jashtë vijave të parketit bëri që dueli të ndërpritet.
Nga ana e klubit prizrenas kanë thënë se incidenti nuk kishte të bëjë fare me gjyqtarët apo me lojtarët e Pejës dhe se deri në këtë pikë situata arriti shkaku i reagimit jo të duhur në menaxhimin e saj nga sigurimi i brendshëm.
“Duke iu falënderuar për përkrahjen tuaj të vazhdueshme dhe dashurinë ndaj basketbollit, dëshirojmë të ju informojmë dhe sqarojmë lidhur me incidentin e ndodhur në ndeshjen e fundit të zhvilluar nga klubi ynë”.
“Për fat të keq, për shkak të një keqkuptimi dhe reagimit jo të duhur në menaxhimin e situatës nga ana e sigurimit të brendshëm, i cili është kontraktuar nga klubi për t’u kujdesur për sigurinë në sallë, në mënyrë tërësisht të paqëllimshme ndodhi një incident dhe një situatë e papëlqyeshme, vetëm 5 sekonda para përfundimit të ndeshjes, kur rezultati tashmë ishte i qartë".
"Verpime këto që nuk pasqyrojnë vlerat dhe qëllimet tona sportive”, thuhej ndër të tjerash në reagimin e Bashkimit.
Tashmë seria gjysmëfinale është bartur në Pejë, ndeshje kjo që do të zhvillohet të enjten dhe në rast se Bashkimi arrin fitore, do të kualifikohet në finale./Telegrafi/




















































