LAJMI I FUNDIT:

Katharine Hepburn dhe thashethemja që zgjati 27 vjet: Diva që s’e donte “trashëgimtaren” e saj, Meryl Streep

Katharine Hepburn dhe thashethemja që zgjati 27 vjet: Diva që s’e donte “trashëgimtaren” e saj, Meryl Streep

Pse libri i kujtimeve “Kate Remembered” (2003) i autorit A. Scott Berg u paraqit vetëm pas vdekjes së aktores së madhe? Çfarë thotë në këtë libër Hepburn për dashurinë e saj të madhe, Spencer Tracyn? Si ishte shoqëruar me Michael Jacksonin? Cilët aktorë i çmonte dhe pse nuk mund ta kuptonte Arnold Schwarzeneger-in?

Në të shumtën e herëve, pas vdekjes së një ylli me të shpejt gatiten librat në të cilat përmblidhen ngjarjet më të rëndësishme në jetën e tyre apo edhe rrëfimet të cilat nuk janë autentike. Por, në rastin e aktores Katharine Hepburn (1907-2003), njërës prej divave të fundit të Hollivudit klasik, kjo nuk është e vërtetë. Libri “Kate Remembered”, i autorit A.Scott Berg,i cili doli nga shtypi disa ditë pas vdekjes së aktores, është njëmend një libër i përbashkët i Bergut dhe Hepburnit.


Berg është një nga autorët më të njohur të fahut të biografive. Ai ka marrë shpërblimet e Pulitzerit për biografitë e Charles Lindberghut, pilotit të famshëm amerikan, dhe të producentit Samuel Goldwyn. Para njëzet vjetësh, Berg u bë mik me Katharine Hepburnin dhe prej atëherë, aktorja nisi t’i rrëfehet atij për karrierën e saj dhe jetën private.

Libri ishte kryer në vitin 2001, por Hepburn ishte këmbëngulëse që kujtimet mund të shohin dritën tek pas vdekjes së saj. Duket që ky kusht i Hepburn është konsekuencë e një sinqeriteti të madh të saj në kallëzimet e thëna Bergut. Ta zëmë, në libër mund të merret vesh që Katharine Hepburn, kur ka qenë në kolegj, ka pozuar lakuriq për një fotograf dhe pastaj, gjatë gjithë jetës është frikësuar që fotografitë e saja do të botohen në ndonjë magazinë. Tregim tjetër interesant në librin “Kate Remembered” është ai ku Hepburn dëfton se si është zënë me mikeshën e saj të madhe, Irene Mayer Selznick (ish-gruan e David O.Selznickut, producentit shumë të njohur të Hollivudit), për shkak që kjo e kishte akuzuar atë se është lezbike. Për lidhjen e saj të dashurisë me Howard Hughesin, Katherine Hepburn kishte thënë: “Edhe unë dëshiroja të bëhem yll dhe atë me çdo kusht…”.

Katherine Hepburn në kujtimet e saja nuk fsheh edhe anët e këqija të jetës së saj, posaçërisht ato që kanë të bëjnë me dashurinë e saj të madhe me Spencer Tracyn, po ashtu aktor shumë i njohur. Kjo lidhje ka zgjatur 27 vjet të plota, me rëniet dhe ngritjet e shumta, madje edhe me ekceset të cilat vetëm në këtë libër mund të lexohen. Kështu, me një rast, Tracy, i cili ishte i dehur, i kishte pasë rënë shuplakë Hepburnit. Të nesërmen, kur ishte zgjuar, Tracy nuk mbante në mend fare çfarë kishte ndodhur një natë më parë. Kur autori i librit e kishte pyetur Hepburnin pse atëherë nuk e kishte braktisur Tracyn, ajo ishte përgjigjur: “Pse ta braktis? Unë e kam dashur. Pastaj, sikur të largohesha, që të dytë do të ishim fatkeq…”!

Paradoks në veti është ngjarja pas vdekjes së Tracyt, në vitin 1967. Hepburn e kishte thirr gruan e Tracyt për të biseduar me të. Ajo i kishte thënë asaj: “Ta dini Louise, ne të dyja mund të jemi mike… Ju e keni njohur Spencerin në fillim, ndërsa unë në fund. Apo, mund të vazhdojmë të sillemi thuajse nuk dimë gjë për njëra-tjetrën…”. Louise i ishte përgjigjur në këtë mënyrë: “Paj, nuk e di…Unë kam menduar që fjalët për ju dhe Spencer-in janë vetëm thashetheme…”! Katharine kurrë nuk e kishte harruar këtë bisedë: “Vetëm thashetheme? A mund të paramendoni këtë. Për tridhjetë vjet burri i saj nuk kishte jetuar me te, ndërsa ajo mendonte që e tëra ishte vetëm një thashetheme…”!

Bergu në libër përshkruan edhe takimet që Katharine Hepburn i ka pasë me Michael Jacksonin, mbretin e pop-muzikës. Katharine e çmonte shumë faktin që Jackson ishte shumë i vyeshëm. Por, ja çfarë kishte ndodhur një mbrëmje. Jackson, në bisedë e sipër, në prani të Bergut i kishte thënë Katharines që pikërisht ajo është aktorja e tij më e dashur. Berg, pa sherr, e kishte pyetur Michaelin se cili film i Katharines i pëlqen atij më së shumti. “Nuk jam i sigurt…”, ishte gjegjur Jacksoni. Kur Berg kishte përmendur “Rrëfimin e Filadelfisë”, Michael kishte pranuar që kurrë nuk kishte dëgjuar për të. Ndërsa, kur Berg kishte zënë në gojë filmin “Mbretëresha e Afrikës”, reagimi i Jacksonit kishte qenë: “A është ky filmi i cili flet për Afrikën…”? Bergut i kujtohet që Katharine ishte e shokuar me këto përgjigje të mikut të saj dhe për këtë shkak, njëherë zbrazi disa gota të verës, e pastaj u “hodh” në uiski.

Aktori i cili i pëlqente mjaft shumë Katharine Hepburnit ishte John Travolta, posaçërisht në filmin “Ethet e të shtunës mbrëma” (“Saturday Night Fever”). Po ashtu, kënaqej me rolet dhe filmat e Harrison Fordit, ndërsa as për një sekondë të vetëm nuk mund të duronte filmat e Woody Allenit. Katharine nuk ka çmuar shumë as Meryl Streepen, aktoren e cila prej shumëkujt ishte cilësuar si trashëgimtare e saj.

Në një rast kishte deklaruar që assesi nuk mund të kuptojë Arnold Schwarzenegerin, yllin e madh të filmave “Terminator”. Kur Berg ishte munduar të shpjegojë pse Schwarzeneger është aq shumë i popullarizuar, ajo i ishte kthyer me fjalët: “Nuk po flas për popullaritetin e tij… Unë thjesht nuk po mund ta marr vesh çka po flet, për shkak të theksit të tij të rëndë…”! /Telegrafi/

Në trend Kultura

Më shumë
EZRA POUND

EZRA POUND

Poezi

"Ishulli i vdekjes" i Britanisë së Luftës së Dytë Botërore

Kulture
Binjaket magjepsëse dhe shkrimtarët e famshëm

Binjaket magjepsëse dhe shkrimtarët e famshëm

Kulture
Ali Pasha donte marrëdhënie diplomatike e tregtare edhe me Amerikën e largët!

Ali Pasha donte marrëdhënie diplomatike e tregtare edhe me Amerikën e largët!

Kulture
Karnavalet, origjina dhe domethënia

Karnavalet, origjina dhe domethënia

Kulture
Jeta në komunizmin shqiptar

Jeta në komunizmin shqiptar

Kulture
Kalo në kategori