LAJMI I FUNDIT:

Katër persona të lënduar në një aksident trafiku në Kaçanik

Katër persona të lënduar në një aksident trafiku në Kaçanik

Policia e Kosovës njofton se një aksident i rëndë ka ndodhur sot në orët e pasdites, rreth orës 17:05, në rrugën që lidh Ferizajn me Shtërpcën, në territorin e fshatit Bajnicë të Komunës së Kaçanikut.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës për Rajonin e Ferizajt, Kanun Veseli, ka deklaruar për Telegrafin se aksidenti është shkaktuar nga përplasja e dy automjeteve që udhëtonin në këtë rrugë.

“Ju njoftojmë se sot rreth orës 17:05 në rrugën Ferizaj – Shtërpcë, në fsh. Bajnicë, komuna e Kaçanikut ka ndodhur një aksident trafiku, ku janë përfshirë dy vetura. Veç dëmeve materiale lëndime trupore kanë pësuar  4 persona”.


Njësitet e specializuara të Policisë së Trafikut Rajonal ishin të shpejta për të arritur në vendngjarje, ku kanë ndërmarrë veprimet e para për të siguruar zonën, për të lehtësuar qarkullimin e trafikut të rënduar nga aksidenti dhe për të filluar hetimet fillestare mbi shkaqet e tij.

Së bashku me ta, ekipe të emergjencës mjekësore kanë bërë ndërhyrjen e parë duke ofruar ndihmën e nevojshme mjekësore për të lënduarit dhe se të njëjtët janë dërguar në Spitalin e Ferizajt

Hetimet mbi ngjarjen vazhdojnë, ku do të përcaktohen faktorët që sollën deri tek kjo përplasje dhe përgjegjësitë përkatëse.

Autoritetet kanë bërë thirrje për kujdes në trafik dhe respektimin e rregullave të sigurisë rrugore për të parandaluar ngjarje të tilla në të ardhmen./Telegrafi/