Katër ditë festë për 6-vjetorin e pavarësisë

Të gjitha aktivitetet do të zhvillohen nën logon zyrtare të Ditës së Pavarësisë, që do të jetë numri 6-të dhe i cili do ta simbolizojë rrumbullakimin e shtetësisë dhe vazhdimin e rrugës drejt Bashkimit Evropian. Aktivitetet për manifestimin e këtij përvjetori do të fillojnë të premten me një orë mësimi për pavarësinë dhe do të përfundojnë në orën 22:30 të hënën, ku do të ndizen fishekzjarrët nga Zyra e Kryeministrit të Kosovës.
Manifestimi qendror do të mbahet të hënën në orën 12:00, ku do të parakalojnë edhe njësitet e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) që, sipas paralajmërimeve, kjo do të jetë hera e fundit kur pjesëtarët e kësaj force do të parakalojnë para liderëve institucionalë dhe qytetarëve të Kosovës nën emrin e FSK-së sepse, pas Rishikimit të Sektorit të Sigurisë në Kosovë, këtij institucioni do t’i ndërrohet emri. Pritjet janë që kjo forcë të quhet Ushtri e Kosovës.
Në agjendën që e ka siguruar “Epoka e re”, e të cilën javën e kaluar kryesuesi i këshillit organizativ për shënimin e 6-vjetorit të pavarësisë së Kosovës, njëherësh ministër i FSK-së, Agim Çeku, e ka prezantuar para kabinetit qeveritar për miratim, parashihet që aktivitetet për këtë çështje të fillojnë më 14 shkurt, ku ora e parë e mësimit në të gjitha shkollat në Kosovë do t’i kushtohet shpalljes së Pavarësisë së Kosovës.
Përgjegjës për këtë do të jetë Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MASHT). Po këtë ditë të gjitha komunat e Kosovës janë përgjegjëse që rrugët kryesore dhe sheshet e tyre t’i stolisin me flamuj shtetërorë, kombëtarë, të SHBA-së dhe me flamuj të BE-së.
Aktiviteti i fundit për këtë ditë do të jetë në orën 19:00 në Galerinë Kombëtare të Arteve të Kosovës, ku do të hapet ekspozita e koleksionit të “Marubit”. Më 15 shkurt do të ketë dy aktivitete që do të jenë në përgjegjësinë e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sporteve. Duke filluar nga ora 17:00 në Muzeun e Kosovës do të bëhet hapja e ekspozitës “Shkatërrimi i trashëgimisë kulturore në Kosovë gjatë vitit 1998-1999”, ndërsa prej orës 18:00 do të mbahet një koncert i tenorit të njohur shqiptar Agim Hushi në hotelin “Swiss Diamond”. Po ashtu, më 15 shkurt të gjitha ambasadat e Kosovës në botë do të organizojnë pritje për korin diplomatik, qytetarët dhe për personalitete të rëndësishme të shteteve përkatëse.
Dita e tretë e aktiviteteve (16 shkurt) do të fillojë me koncertin e Ansamblit Kombëtar të Këngëve dhe Valleve “Shota”, kurse në orën 19:30 në Hotel “Emerald”, nga Presidentja e Republikës së Kosovës, organizohet pritje solemne për mysafirë të ftuar.
Manifestimi qendror, në orën 12:00.
Aktivitete më të ngjeshura do të ketë të hënën, më 17 shkurt, ku do të festohet përvjetori i gjashtë i shpalljes së Deklaratës së Pavarësisë. Fillimisht prej orës 9:00 do të bëhen homazhe para varrit të ish-presidentit Ibrahim Rugova, për të vazhduar më pas në orën 10:00 me homazhe para varrit të komandantit legjendar Adem Jashari dhe familjes Jashari në Prekaz.
Për nder të 6-vjetorit të shpalljes së pavarësisë, në orën 11:00, Kuvendi i Kosovës do të mbajë një seancë solemne. Ndërsa manifestimi qendror i këtij përvjetori do të mbahet në sheshin “Zahir Pajaziti”, duke filluar nga ora 12:00. Me këtë rast, para liderëve institucionalë dhe të pranishmëve do të parakalojnë njësitet e FSK-së, Policisë së Kosovës dhe Shërbimit Korrektues. Të pranishmëve do t’u adresohen me fjalime edhe krerët institucionalë.
Pas manifestimit qendror, Shoqata e Hotelierëve dhe Prodhuesve Vendorë do të organizojnë koktej me produkte vendore në ambientet e Hotel “Grand” për të ftuarit e kryeministrit Hashim Thaçi. Ndërsa komuna e Prishtinës nga ora 14:00 në sheshin “Zahir Pajaziti” do të organizojë një koncert për fëmijë. Po ashtu, komuna e Prishtinës prej orës 20:00 do të organizojë një koncert me këngëtarët më eminentë të vendit. Me të përfunduar ky koncert, nën organizimin e Zyrës së Kryeministrit të Kosovës do të bëhet ndezja e fishekzjarrëve.
Këshilli organizativ i ka ftuar të gjitha komunat që më 17 shkurt të nga ora 9:00 bëjnë homazhe në varret e dëshmorëve dhe shtatorëve të heronjve të Kosovës në komunat e tyre. Gjithashtu, të organizojnë seanca solemne të kuvendeve komunale dhe në mbrëmje të organizojnë koncerte festive për qytetarët sipas mundësive.
Për mbulimin e shpenzimeve për të gjitha këto aktivitete Qeveria e Kosovës ka ndarë 100 mijë euro. /Telegrafi/











































