Nga dita e premte proceduralisht hapet rruga për thirrjen e seancës së jashtëzakonshme për zgjedhjen e presidentit të ri.

LDK ka vendosur të marrë pjesë në procesin e zgjedhjes së presidentit, mirëpo Emir Abrashi nga Demokracia Plus thotë se ende duhet punë për t’u arritur numri prej 80 deputetëve që nevojiten për kuorum.

“Aktualisht LVV ka 58 deputetë ndërsa LDK 15 deputetë. Nëse tre deputetë të LDK-së nuk marrin pjesë dhe duke pasur parasysh se 10 deputetët e minoriteteve jo serbe marrin pjesë në seancë atëherë do të kishte kuorum  prej 80 deputetëve. LVV dhe zonja Osmani ende duhet të punojnë me katër deputetët e LDK-së të cilët tashmë kanë mendime të pavaruara nga partia në raport me zgjedhjen e presidentit. Në këtë rast janë deputetët Agim Veliu, Driton Selmanaj, Avdullah Hoti dhe Behgjet Pacolli, i cili nuk dihet nëse do të jetë në Kosovë kur të votohet presidenti”, deklaroi Emir Abrashi për RTV Dukagjinin.

Analisti Xhevdet Pozhari thotë se Abdixhiku sot vendosi interesin e vendit para atij të LDK-së.

“Zoti Abdixhiku është duke dëshmuar se më tepër se fatin e tij personal, më të rëndësishëm e ka fatin e shtetit dhe të ardhmen e vendit. LDK ka dëshmuar se është parti që kontribuon në themelimin e institucioneve të vendit”.

Ditën e premte është seanca e radhës në Kuvend, ku pritet të betohen deputetët e rinj që do të zëvendësojnë ata që janë bërë ministra.

Me 40 nënshkrime mund të thirret seanca për votimin e presidentit të ri të vendit./RTV Dukagjini/Telegrafi/