Katër arsimtarë me COVID-19, shkolla 'Faik Konica' në Prishtinë kalon në mësim online për dy javë

Nxënësit në shkolla fillore “Faik Konica” në Prishtinë, do të vazhdojnë mësimin në distancë, pasi katër arsimtarë të këtij institucioni arsimor, kanë rezultuar pozitivë me COVID-19.
Kështu bëri të ditur ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj në Facebook, i cili tha se në bazë të rekomandimit të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës, mësimi me prezencë fizike do të ndërpritet për dy javë.
“Nga hulumtimi dhe mbikëqyrja e situatës epidemiologjike, IKSHPK ka bërë testimin e të gjithë arsimtarëve, katër prej të cilëve rezultuan pozitivë me COVID-19. Prandaj, IKSHPK ka rekomanduar që mësimi në shkollën 'Faik Konica', nga skenari 'A', të kaloj në skenarin 'C', mësimin online, për dy javë”, ka shkruar Zemaj, përcjell Telegrafi.
Ministria e Arsimit e Kosovës ka paraparë që në këtë vit shkollor, mësimi të realizohet përmes tre skenarëve.
Skenari A ka të bëjë me zhvillimin e mësimit në ambientet shkollore. Skenari B, apo mësimi i kombinuar përfshin rikthimin e pjesshëm të nxënësve në shkolla (prezencë e nxënësve në shkolla, e kombinuar dhe me mësimin në distancë) dhe skenari C është mësimi në distancë.
Viti i ri shkollor në institucionet para-universitare në Kosovë, ka filluar më 14 shtator, me prezencë fizike të nxënësve në shkolla, por duke respektuar rekomandimet për mbrojtjen nga pandemia COVID-19. /Telegrafi/










































