Sekretari i Mbrojtjes i SHBA-së, Pete Hegseth, ka njoftuar se SHBA-të kanë finalizuar një marrëveshje që do t'i lejojë Katarit të ndërtojë një strukturë të forcave ajrore në Idaho.

Ai tha se struktura - ku pilotët nga shteti i Gjirit do të trajnohen për të fluturuar aeroplanë luftarakë F-15 - do të ngrihet në Bazën Ajrore Mountain Home në shtetin veriperëndimor të SHBA-së.


"Është vetëm një shembull tjetër i partneritetit tonë", tha Hegseth gjatë një takimi me homologun e tij nga Katari, Saoud bin Abdulrahman al-Thani, në Pentagon të premten.

Hegseth gjithashtu vlerësoi Katarin për luajtjen e një "roli të konsiderueshëm" në përpjekjet e udhëhequra nga Presidenti Donald Trump për të siguruar një armëpushim në Gaza dhe një marrëveshje për kthimin e pengjeve.

Katari - së bashku me Egjiptin dhe Turqinë - ka qenë një ndërmjetës aktiv gjatë muajve të negociatave indirekte midis Izraelit dhe Hamasit.

Të premten, Hegseth tha se ishte "krenar që sot po nënshkruajmë një letër pranimi për të ndërtuar një strukturë të Forcave Ajrore të Emirateve të Katarit në Bazën Ajrore Mountain Home në Idaho".

Shefi i Pentagonit nuk tha se sa aeroplanë F-15 të Katarit do të vendosën në objektin e Idaho-s dhe kur do të bëhet operacional.

Muajin e kaluar, Presidenti Trump nënshkroi një urdhër ekzekutiv duke u zotuar të përdorë të gjitha masat - përfshirë ushtrinë amerikane - për të mbrojtur Katarin.

Urdhri përbën një pakt të jashtëzakonshëm sigurie midis Amerikës dhe një aleati kyç arab, pothuajse duke pasqyruar aspektet e një aleance të NATO-s.

Lëvizja erdhi pasi sulmet ajrore izraelite shënjestruan udhëheqësit e Hamasit në kryeqytetin e Katarit, Doha, më 9 shtator, duke lënë të vdekur disa anëtarë të nivelit të ulët të grupit palestinez, së bashku me një zyrtar të sigurisë së Katarit.

Ndryshe, theksojnëmediat, Katari pret bazën më të madhe ushtarake të Uashingtonit në Lindjen e Mesme - al-Udeid.

Baza - ku ndodhet selia e ushtrisë amerikane për të gjitha operacionet ajrore në rajon - u sulmua më herët këtë nga Irani në hakmarrje për sulmet amerikane kundër centraleve të saj bërthamore. /Telegrafi/