LAJMI I FUNDIT:

Katalonja, Kosova e Shqipëria

Katalonja, Kosova e Shqipëria

Kosova dhe Shqipëria janë shumë e vogla dhe shumë të pafuqishme që të deklarohen nëse e njohin apo nuk e njohin pavarësinë e Katalonjës.

Qoftë deklarimi për njohje qoftë për mosnjohje do t’ishte prepotencë kulmore. Kosova dhe Shqipëria duhet të deklarohen se dëshirojnë që problemet në relacionin Barcelonë-Madrid dhe anasjelltas të zgjidhen me dialog dhe jo më dhunë,


Nëse Amerika, Rusia, Anglia, Franca, Italia, Gjermania deklarohen se nuk e njohin pavarësinë e Katalonjës, kjo nuk do të thotë se ato nuk do ta njohin asnjëherë.

Natyrisht, nëse Amerika do ta njihte sot pavarësinë e Katalonjës këtë duhet ta bënte po të njëjtën ditë një orë më pas edhe Kosova edhe Shqipëria. Por, deklarimin e Fuqive të Mëdha për mosnjohje nuk kanë nevojë ta përsëritin as Kosova e as Shqipëria.

Rruga e pavarësimit të një vendi, përkatësisht formimit të një kombi, është e gjatë dhe përplot rreziqe. Të mos harrojmë se slogani “Kosova Republikë” është paraqitur më 1968, vit në të cilin u lindën Hashim Thaci, Kadri Veseli, Ramush Haradinaj, Enver Hoxhaj. U deshën 40 vite qe Republika e Kosovës të bëhet realitet.

Lidershipi kosovar dhe ai shqiptar nuk duhet të nxitohet me deklarata të tepërta se rastet e Kosovës dhe Katalonjës dallojnë, sepse ato vërtetë dallojnë, por edhe kanë ngjashmëri të mëdha. Madje disa dallime shkojnë në favor të Katalonjës.

Kosova ishte tetë për qind e popullsisë dhe katër për qind sipërfaqes së ish-Jugosllavisë; 16 për qind e popullsisë së Serbisë dhe 12 për qind e sipërfaqes së Serbisë. Ndërsa, Katalonja ka shtatë milionë banorë e 32 mijë kilometra katrorë, që do të thotë katër herë më e madhe se Kosova me banorë e me sipërfaqe. E kjo përbën 16 për qind e popullsisë dhe 16 për qind sipërfaqes së Spanjës,

Kosova ishte krahina më e pazhvilluar në Serbi e Jugosllavi, Katalonja është krahina më e zhvilluar në Spanjë.

Të gjitha këto janë përparësi të Katalonjës karshi Kosovës. I vetmi argument pro Kosovës është gjaku i derdhur dhe dhuna që Beogradi ka ushtruar ndaj Kosovës që është edhe më i rëndësishmi argument në këtë mesele.