LAJMI I FUNDIT:

​Kastrati viziton Bujanocin e Preshevën

​Kastrati viziton Bujanocin e Preshevën

Kryetari i Komunës së Kamenicës, Qëndron Kastrati, së bashku me kabinetin e tij kanë vizituar komunën e Bujanocit dhe të Preshevës, ku janë pritur nga kryetarët e këtyre komunave.

Në vizitën e parë në Bujanoci, kryetari Kastrati ka uruar kryetarin e kësaj komune, Nagip Arifin për pozitën, dhe kanë diskutuar për bashkëpunimin në sfera të ndryshme.

Kastrati po ashtu ka takuar kryetarin e Këshillit Kombëtar Shqiptar, Ragmi Mustafi dhe deputetët shqiptar të cilët do t’i përfaqësojnë qytetarët e Luginës së Preshevës në Parlamentin e Serbisë.

“Kryetarit Nagip Arifi dhe deputetëve shqiptar iu urova për pozitat, dhe shumë suksese në rrugëtimin e tyre, si dhe i përgëzova për listën unike e rezultatin në zgjedhjet e përgjithshme”, ka thënë Kastrati.

I pari i komunës, Qëndron Kastrati pas vizitës në Komunën e Bujanocit, ka vizituar Komunën e Preshevës, ku me kryetarin e kësaj komune Shqiprim Arifi kanë diskutuar për bashkëpunimin ndërkomunal.

“Në vazhdën e takimeve në Luginë, u pritëm edhe nga kryetari i Komunës së Preshevës Shqiprim Arifi. Folëm për bashkëpunime ndërkomunale e ndërkufitare, që sjellin mirëqenie te qytetarët tanë. Edhe me kryetarin e PDSH-së Ragmi Mustafa, patëm një takim miqësor ku ndamë idetë e perspektivat tona në raport me shqiptarët e Luginës”, ka thënë Kastrati./KP/