Bilall Kasami nga VLEN, ka komentuar sot spekulimet për për kalim në VLEN të kryetarit të Vrapçishtit, Isen Shabani dhe kryetarit të komunës së Gostivarit, Valbon Limani.

Ai tha se ka bisedime, por pa përmendur emra se për kë bëhet fjalë, ndërsa paralajmëroi veprime konkrete ditëve në vijim.


“Sigurisht që në skenën politike në përgjithësi ka zhvillime të tilla, ka lëvizje të tilla, veçanërisht këtu te ne ku e dimë se opozita është e përçarë dhe ka pakënaqësi mes shumë strukturave opozitare dhe në këtë drejtim janë bisedimet të cilat po zhvillohen dhe besoj se në ditët në vijim do të ketë edhe veprime konkrete”, tha Kasami.

Ndërkaq, spekulimeve u janë përgjigjur edhe të apostrofuarit, konkretisht Shabani dhe Limani.

Kreu i Vrapçishtit publikoi një fotografi me kryetarin e Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari, me mbishkrimin “Vazhdojmë…”, duke lënë të nënkuptohet se mbetet pjesë e ASH-së.Ndërkaq, Limani thotë se mbetet anëtar i Aleancës për Shqiptarët, si parti autonome.

“Sa u përket çështjeve të tjera, përveç bisedave kolegiale që lidhen me bashkëpunimin ndërkomunal, në kuadër të Rajonit të Pollogut apo programeve qeveritare, nuk ka asnjë lloj bisede apo negocimi tjetër në vazhdim. Jam anëtar i Aleancës për Shqiptarët, e cila mbetet parti autonome, dhe nuk ekziston asnjë zhvillim që do të sugjeronte bisedime apo rikonfigurime të skenës politike. Në të njëjtën kohë, vazhdojmë përgatitjet për Kongresin e Aleancës për Shqiptarët, i cili do të mbahet së shpejti. Fokusi im mbetet në mbarëvajtjen e punëve në Komunën e Gostivarit, realizimin e projekteve dhe shërbimin ndaj qytetarëve, larg spekulimeve mediatike që nuk kanë mbështetje në fakte”, thotë Limani.