Karamele me kanabis nëpër shkolla - Policia e Shtetit ngre alarmin drejt Ministrisë së Arsimit: Nxënësit kujdes nga konsumi aksidental


Policia e Shtetit ka ngritur alarmin për një formë të shpërndarjes së lëndëve narkotike në Shqipëri, ku substancat me përmbajtje të lartë THC, përbërësi kryesor psikoaktiv i kanabisit, paraqiten në formën e produkteve ushqimore të njohura si "Edibles".
Në një shkresë drejtuar Ministres së Arsimit, Mirela Kumbaro, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, bën me dije se Njësia e Sistemit Kombëtar të Paralajmërimit të Hershëm për substancat e reja psikoaktive ka identifikuar raste të përpunimit të kanabisit në formë xheli dhe karamelesh, të ngjashme me produktet e zakonshme që konsumohen nga fëmijët.
Sipas informacionit, këto produkte janë përgatitur pas ekstraktimit të THC-së nga materiali bimor i kanabisit dhe më pas janë përpunuar në formën e xhelatinave.
Policia thekson se ngjashmëria e tyre me karamelet dhe produktet e tjera ushqimore e bën të vështirë identifikimin vizual dhe rrit ndjeshëm rrezikun e konsumimit aksidental, veçanërisht nga të miturit.
Përqendrimi i lartë i THC-së në këto produkte mund të shkaktojë pasoja serioze për shëndetin, duke përfshirë efekte toksike akute, çrregullime neurologjike dhe reaksione të rënda psikoaktive, sidomos tek fëmijët dhe grupet më të ndjeshme.
Për këtë arsye, Policia e Shtetit i ka kërkuar Ministrisë së Arsimit rritjen e ndërgjegjësimit në institucionet arsimore, si në nivel qendror ashtu edhe vendor, duke informuar stafet pedagogjike, nxënësit dhe prindërit mbi rrezikun që paraqesin këto produkte, të cilat konsiderohen një kërcënim serioz për shëndetin publik. /Oranews/






































