LAJMI I FUNDIT:

Kandidatja e AKR-së për deputete, Mirlinda Sopi-Krasniqi: Shëndetësia njëra nga prioritetet tona

Kandidatja e AKR-së për deputete, Mirlinda Sopi-Krasniqi: Shëndetësia njëra nga prioritetet tona

Kandidatja për deputete në Kuvend të Kosovës nga radhët e AKR-së, Mirlinda Sopi Krasniqi, në një intervistë për “Përballje ditore”, me gazetarin Muhamet Hajrullahun në Telegrafi.com ka folur për kandidimin e saj në zgjedhjet parlamentare të 6 tetorit si dhe programin që AKR e ofron në kuadër të koalicionit me Nismën dhe Partinë e Drejtësisë.

Sopi Krasniqi ka thënë se programi i tyre do të jetë i përqendruar në Arsim, Shëndetësi dhe Rini.

“Koalicioni Nisma-AKR-PD ka një program që është i punuar me kujdes të veçantë nga ekspertët dhe grupet e fushave të caktuara, jemi të fokusuar në pikat më të ndjeshme të cilat po përballet shoqëria jonë, jemi të fokusuar në zhvillimin ekonomik, në shëndetësi. E dimi së shëndetësia është njëra nga pikat më të ndjeshme, popullata jonë nuk mundet të marrë trajtimet e duhura, kemi menduar dhe kemi krijuar një plan konkret për me iu ofru qytetarëve një alternativë.
Mandej, Arsimi po ashtu është njëra nga shtyllat që nuk e kemi në rregull, dhe kemi punuar më një numër të madh të ekspertëve për të përpiluar një plan konkret për qytetarët, por duke mos lënë anash as rininë dhe sportin”, ka thënë ajo.

Kandidatja e AKR-së për deputete, Mirlinda Sopi-Krasniqi gjatë intervistës për Telegrafin Foto: Ridvan Slivova

Gjatë intervistës ajo shpalosi në detaje plan-programin e tyre për shëndetësi.

“Nuk nevojitet ndonjë analizë e thuktë që të dihet se Shëndetësia nuk është në gjendje të mirë, edhe 20 vite pas luftës nuk po mundet t’iu ofrohet qytetarëve një alternativë dhe një shërbim me kualitet të lartë. Ne kemi plan-programin sa i përket shëndetësisë që prek në thelb problemet, e kemi menduar duke funksionalizuar një trekëndësh, punëtorët e shëndetësisë, pacientet dhe Ministria e Shëndetësisë duke ndikuar në mënyrë emergjente në infrastrukturë, ne duhet të mendojmë t’i funksionalizojm tri niveleve të shëndetësisë”, u shpreh ajo gjatë intervistës për Telegrafin.

Kandidatja e AKR-së, për deputete në Kuvendin e Kosovës tha se kanë një strategji të qartë se si duhet mbajtur mjekët në Kosovë.

“Kemi strategji të qartë se si të mbahen mjekët në Kosovë, duhet të bëhet ndarja e sistemeve publik dhe privat, nuk ka mundësi një person t’i mbajë tri vende  të punës, duhet të profilizohet, nuk ka pasur mundësi ta bëjë askush deri tani dhe këtë duhet ta bëjë një qeveri e guximshme. Kjo do të jetë mënyra se si do t’i ndalim”, ka deklaruar ajo.

Mes tjerash, Sopi-Krasniqi tha se deri tani në Kosovë nuk janë krijuar kushte për rini dhe se koalicioni Nisma-AKR-PD ka një plan për këtë.

Ajo tha se kanë vullnet dhe guxim për t’i realizuar planet e tyre dhe se për këtë iu duhet besimi i qytetarëve në zgjedhjet e tetorit./Telegrafi/