Kampioni i UFC-së, Francis Ngannou lë të vdekur një 17 vjeçare nga aksidenti me motoçikeltë

Luftëtari i famshëm i UFC-së dhe ish-kampioni i peshave të rënda, Francis Ngannou, foli për herë të parë pas aksidentit me motoçikletë në të cilin mori pjesë, në të cilin vdiq një vajzë adoleshente.
Një aksident i tmerrshëm ndodhi në kryeqytetin e Kamerunit, Yaounde, gjatë fundjavës. Ngannou foli për herë të parë pas këtij aksidenti, duke thënë se gjatë gjithë kohës ishte me familjen e viktimës 17-vjeçare.
"Kam qenë me familjen që nga fillimi, duke u ofruar mbështetje dhe ngushëllime më të thella gjatë kësaj kohe. Jam takuar me ta privatisht për të ndarë pikëllimin e tyre dhe do të vazhdoj të jem me ta në çdo hap të rrugës. E mbaj dhimbjen e tyre me vete, dhe mendimet dhe mbështetja ime mbeten me ta ndërsa përballen me këtë humbje që na ka thyer zemrat", deklaroi Ngannou.
Sipas raportimeve, Ngannou po ngiste një motoçikletë nëpër lagjen Omnisports të Yaounde kur përplasi një vajzë 17-vjeçare.
Viktima u identifikua si e reja Manuella Brigitte Ntsama. Vajza pësoi lëndime të rënda në aksident dhe përfundimisht humbi jetën në spital.
Ngannou reagoi menjëherë, e transportoi në spital dhe pagoi për trajtimin e saj, por ajo më vonë vdiq nga plagët e marra. Autoritetet kameruniane janë ende duke hetuar incidentin.
Ngannou lindi dhe u rrit në Kamerun, por mbërriti në Evropë për të ndjekur një karrierë profesionale në boks. Më vonë ai filloi të praktikonte MMA dhe bëri debutimin e tij në UFC në vitin 2015.
Kamerunasi u bë kampioni i peshave të rënda i UFC-së në vitin 2021, por më pas u largua nga organizata pas një mosmarrëveshjeje të gjatë për kontratën. Ai u bë gjithashtu boksier profesionist dhe në vitin 2023 luftoi kundër Tyson Fury, ku humbi me vendim të ndarë. /Telegrafi/



































