Kamberi: Ndërhyrja në Universitetin e Novi Pazarit - përpjekje për ta paraqitur pakicën si element destabilizues

Deputeti shqiptar në Parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi, ka reaguar lidhur me ndërhyrjen në Universitetin Shtetëror të Novi Pazarit, duke e cilësuar atë si një tentativë për të shtypur përpjekjet e studentëve boshnjakë për barazi dhe sundim të ligjit.
Sipas Kamberit, veprimet e fundit synojnë të portretizojnë pakicat kombëtare si faktorë destabilizues në shoqëri.
Ai ka kritikuar ashpër qasjen e autoriteteve, duke thënë se “ky është një tregues i qartë i gatishmërisë së regjimit për të heshtur çdo zë kritik dhe për të shuar energjinë rinore”.
Deputeti theksoi se studentët prej muajsh po përpiqen të çlirojnë institucionet nga ndikimi i strukturave autokratike.
“Pse pikërisht Novi Pazari dhe ky universitet? Sepse aty banon një shumicë e konsiderueshme nga komuniteti boshnjak. Është një skenar i njohur nga vitet ’90 – nxitja e tensioneve në zonat e banuara nga pakicat, me qëllim që ato të paraqiten si rrezik për shtetin”, shkroi Kamberi në Facebook.
Ndërkohë, mëngjesin e sotëm, persona të paidentifikuar të shoqëruar nga përfaqësues të administratës kanë hyrë në objektin e Universitetit dhe kanë larguar me forcë studentët që ishin përfshirë në bllokadën e institucionit. /Telegrafi/


















































