LAJMI I FUNDIT:

Kamberi: Albin Kurti nuk e solli përçarjen, e gjeti në Luginë të Preshevës

Kamberi: Albin Kurti nuk e solli përçarjen, e gjeti në Luginë të Preshevës
Foto: Arkiv

Deputeti shqiptar në Parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi thotë se në Luginë të Preshevës nuk ka asnjë gjykatës e prokuror shqiptar. Ai thekson se pozita e shqiptarëve në tri komunat duhet të përmirësohet me ligj, për çka edhe premton se do të jetë zë i tyre.

Teksa komenton raportet me institucionet vendore, ai shprehet se pa ndihmën e Kosovës e Shqipërisë e kanë të vështirë të mbijetojnë nga diskriminimi. Sipas tij, Albin Kurti nuk e solli përçarjen në Luginë, por që lufta politike ka nisur kohë më parë.


“Vetëvrasje për shqiptarët e Luginës së Preshevës”, e quan Kamberi tendencën për luftë politike me institucionet e Kosovës.

“Ajo që duhet të shmangim e që do të jetë vetëvrasje për shqiptarët, që u tentua një kohë të gjatë, që Lugina e Preshevës të futet në një luftë politike me Kosovën. Ndërtimi i raporteve më të thella, më të mira, të nivelit më të lartë edhe me Prishtinën edhe me Tiranën duhet të jetë koncepti elementar ynë, sepse pa ndihmën e dy shteteve vështirë e kemi të mbijetojmë në një diskriminim të tillë”, deklaron Kamberi.

Në intervistën për KosovaPress, ai shpreh kundërshtinë për deklarimet e kryetarit të Preshevës, Shqiprim Arifi, e që ky i fundit kishte thënë se kryeministri Kurti ka përçarë Luginën.

“Askush nga jashtë nuk mund ta përçajë Luginën nëse ne nuk pranojmë të përçahemi. Ne këtu jemi tetë apo nëntë parti të regjistruara politike, me tendenca që të ketë edhe të tjera që do të thotë se bajraktarizmi këtu ka filluar shumë herët. Akuzat ndaj kryeministrit janë të pabaza sepse Albin Kurti nuk e solli përçarjen këtu, e gjeti në Luginë në Preshevës. Ekzistimi i shumë partive, lufta politike që është për pushtet lokal që është prioritet i shumicës së partive politike dhe që fare nuk kanë interesim se çfarë bëhet në nivelin e dytë dhe në nivelin e tretë të shtetit, është ajo çfarë sjell përçarjen. Përkrahja e Prishtinës është e domosdoshme, përkrahja e Tiranës është e domosdoshme sidomos se Shqipëria është shtet i NATO-s. Shqipëria është shtet anëtar i OSBE-së, Këshillit të Evropës dhe mekanizmave tjerë ndërkombëtarë ku mundet çështjen e shqiptarëve ta trajtojë”, shton deputeti shqiptar në Parlamentin e Serbisë.

Gjatë vitit të kaluar, kryetari i Preshevës, Shqiprim Arifi ka dorëzuar kallëzim penal në Prokurorinë Speciale për keqpërdorim të mjeteve të qeverisë nga ana e Këshillit Kombëtar Shqiptar. Përfaqësuesi i vetëm i shqiptarëve në Kuvend të Serbisë thotë se do të ishte më i lumtur që të ketë padi ndaj Beogradit diskriminues.

“Do të kisha qenë i lumtur sikurse të kishte pasur padi në anën e kundërt ndaj Beogradit diskriminues. Mjerisht, politika e mbrapshtë çon andej ku nuk duhet, sepse nëse dikush të ofron një ndihmë…, le të jetë për mediat, sektorët civilë, për studentë, për cilëndo sferë të shoqërisë tonë. Por thjesht mendoj që totalisht një politikë e gabuar në adresë të Kosovës, sepse esenca, qëllimi i gjithë asaj është që të degradohet ndihma që Kosova institucionalisht po tenton të japë në Luginë të Preshevës”, shprehet Kamberi.

Për sulmin terrorist serb i 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit, Kamberi thekson se ka ndikuar edhe në Luginë të Preshevës.

Sipas tij, bashkësia ndërkombëtare nuk e ka fokusin e duhur në tri komunat me shumicë shqiptare.

“Ka një presion të vazhdueshëm që autoritetet e Serbisë, ministrat e caktuar e dërgojnë me mesazhe të drejtpërdrejta ndaj shqiptarëve, qoftë nga ish-ministri Vulin duke na quajtur ‘shqiptari’, me terminologji pezhorative, duke na fyer publikisht qoftë ministrat e tjerë dhe vetë kryeministrja (Ana) Bërnabiq, e cila me një mesazh fashist, që unë e kam cilësuar si një mesazh fashist, sepse nuk do të thotë që ti jeton mirë vetëm pse policia nuk të vret. Sepse kjo flet për brutalitetin e diskriminimit që po i bëhet një komuniteti këtu. Bashkësia ndërkombëtare nuk e ka fokusin e duhur në Luginë të Preshevës dhe kjo është arsyeja kryesore pse Serbia po manovron në mes obligimeve, të cilat i ka me marrëveshjet e nënshkruara me shqiptarët rreth gjendjes aktuale. Thjesht bashkësia ndërkombëtare duke vrapuar pas konflikteve më të mëdha, qoftë dialogu Kosovë-Serbi, qoftë lufta në Ukrainë apo problematikave të tjera, Luginën e Preshevës nuk e ka në agjendën e duhur”, shprehet ai.

Si deputeti i vetëm shqiptar, i rizgjedhur më 17 dhjetor të vitit të kaluar, ai zotohet për angazhim maksimal për të drejtat e shqiptarëve. Tregon edhe pse shqiptarët garuan në dy lista të ndara për zgjedhjet parlamentare në Serbi.

“Pse shqiptarët kanë tetë parti, tetë parti në një rajon si Lugina e Preshevës në të cilin jetojnë 63 mijë shqiptarë rezident. Pra, thjesht është një pyetje, e cila kërkon një hulumtim për të parë arsyen, sepse çfarëdo mendimi që jap tash do të jetë subjektiv. Përgjigja e drejtpërdrejtë do të jetë kjo: ne dallojmë në koncepte politike që përfaqësojmë në parlament. Tentativa jonë, lista jonë e cila në vete ka pesë parti politike, ka për qëllim vazhdimin e betejës politike për të drejta, betejës për rezistencë ndaj diskriminimit të Serbisë, betejës për barazi, betejës për reciprocitet, betejës për njohjen e diplomave, për ndaljen e pasivizimit. Në anën tjetër, lista tjetër kishte idenë se ndoshta duhet ndryshuar qasja ndaj Serbisë, të jemi më konstruktiv dhe duhet pranuar ndonjë ofertë që mund të vjen nga lart për përfshirjen tonë në qeveri”, deklaron Kamberi.

Ai shton se koncepti elementar i listës, në të cilën ka qenë bartës, është për integrim në institucione të shtetit.

“Në Preshevë e Bujanoc nuk kemi gjykatës shqiptarë, nuk kemi asnjë prokuror, nuk kemi polici mjaft, sepse nuk është struktura e policisë në përputhje edhe me Kushtetutën e Serbisë dhe nuk kemi në asnjë institucion shtetëror përfaqësim adekuat të shqiptarëve, e në disa prej tyre nuk kemi shqiptarë. Integrimi për ne është një koncept, i cili nënkupton prej poshtë-lart. Kur të arrihet integrimi i barabartë, reciprok i shqiptarëve në organet shtetërore të nivelit lokal apo rajonal, atëherë është koha kur mund të mendojmë që të jemi pjesë e qeverisë”, shton Kamberi.

Edhe në këtë mandat si përfaqësues i qytetarëve të Luginës së Preshevës thotë se do të vazhdojë me iniciativat ligjore, që për qëllim kanë eliminimin e diskriminimit ndaj shqiptarëve.

“Pozita e shqiptarëve duhet të rregullohet me ligj. Ajo duhet të përmirësohet me ndryshimin e ligjeve, të cilat unë i kam propozuar. Fillimisht ka të bëjë me Ligjin për të Drejtat e Pakicave, Ligjin për Territorin e Gjykatave dhe kthimin e Gjykatës Themelore në Preshevë, krijimin e gjykatës së shkallës së dytë për Preshevë dhe Bujanoc, krijimin e Prokurorisë së veçantë për këto dy komuna, sepse aktualisht prokuroria është në Vranjë, që do të thotë se politikën e ndëshkimit penal e mban Serbia në dorë të Vranjës, nuk e lejon që të jetë e decentralizuar këtu dhe mandej kemi ligjin për përdorimin e simbolit kombëtar”, shprehet ai.

Ai shprehet se sfida kryesore në këtë mandat si deputet shqiptar në Parlamentin e Serbisë do të jetë luftimi i qasjes diskriminuese të Beogradit. Po ashtu, konsideron se nuk ka normalizim të marrëdhënieve mes Kosovës e Serbisë, nëse kjo e fundit vazhdon me diskriminimin e saj ndaj shqiptarëve të Luginës. /Kp/Telegrafi/

Në trend Lajme

Më shumë
Njësiti special serb “Kobra” dyshohet të jetë pjesë e trajnimeve të grupeve terroriste pranë kufirit me Kosovën

Njësiti special serb “Kobra” dyshohet të jetë pjesë e trajnimeve të grupeve terroriste pranë kufirit me Kosovën

Siguri
Togerja e Policisë së Kosovës fiton çmim ndërkombëtar për shërbim në komunitet

Togerja e Policisë së Kosovës fiton çmim ndërkombëtar për shërbim në komunitet

Siguri
A po e kushtëzon Sllovenia Kosovën me Asociacion për t'u bërë pjesë e Këshillit të Evropës - flet presidentja Pirc Musar

A po e kushtëzon Sllovenia Kosovën me Asociacion për t'u bërë pjesë e Këshillit të Evropës - flet presidentja Pirc Musar

Lajme
Italiania e dashuruar me Sarandën: Sa erdha thashë do të jetoj këtu, tani kam biznes

Italiania e dashuruar me Sarandën: Sa erdha thashë do të jetoj këtu, tani kam biznes

Lajme
Meta: Ambasadorin italian do ta kisha shpallur “non grata” në Shqipëri

Meta: Ambasadorin italian do ta kisha shpallur “non grata” në Shqipëri

Lajme
Konkursi për gradimin e policëve, dyshohet për favorizime të familjarëve të eprorëve

Konkursi për gradimin e policëve, dyshohet për favorizime të familjarëve të eprorëve

Siguri
Kalo në kategori