LAJMI I FUNDIT:

Kam kokëdhimbje, a duhet të brengosem për tumorin në kokë?

Kam kokëdhimbje, a duhet të brengosem për tumorin në kokë?

Kokëdhimbja është e pranishme vetëm në ¼ e rasteve te të gjithë tumoret e kokës. Truri nuk ka mbaresa nervore për dhimbje. Dhimbja mund të paraqitet vetëm si pasojë e fijeve nervore që dalin nga truri ose atyre fijeve nervore që gjenden jashtë tij.

Dr. Fatos Kelmendi
Neurokirurg
QKUK – Klinika e Neurokirurgjisë, Prishtinë
tel. 044 128 25

Me kokëdhimbje më së shpeshti lajmërohen dhe shenjat tjera si: marramendje, mundim, vjellje. Shpesh ndodh që tumori në kokë të paraqitet me simptoma krejt minimale dhe dhimbja e kokës të shfaqet kur diagnoza veç është e qartë.


Është e preferueshme që çdo pacient me dhimbje koke të lajmërohet te mjeku e sidomos nëse dhimbja e kokës është intensive e përcjellur me mundim, vjellje apo me simptoma tjera.

Si lindë dhimbja e kokës te tumoret e trurit?

Tumori në kokë mund të shkakton dhimbjen e kokës në një prej tri mënyrave?

– Tërheqja e strukturave të dhimbshme brenda trurit
– Shtypja në nervar kranial
– Rritja e shtypjes intrakraniale

Sado që duket e çuditshme, vet truri, e ashtuquajtura masa trunore, nuk dhemb – nuk ka receptor për dhimbje. Kjo është arsyeja se disa intervenime kirurgjike në tru mund të bëhen në anestezion lokal (p.sh. operimet në zonë motore). E kundërta qëndron me mbështjellësin e trurit dhe muret e enëve të gjakut të cilat janë të pasura me fije nervore dhe janë struktura të dhimbshme brenda kafkës.

Kur masa tumorale me rritjen e saj tërheq mbështjellësin e trurit dhe enët e gjakut, paraqitet dhimbja e kokës. Zakonisht dhimbja e kokës është e lokalizuar në anën e masës tumorale, por nuk është rregull fikse. Dhimbja e kokës mund të paraqitet si pasojë e shtypjes në nervat kranialë. Dhimbja paraqitet në regjionin të cilin e inervon ai nerv kranial, gjë që manifestohet me humbjen e pjesërishme apo totale të funksionit të atij nervi.

Shtypja e nervit të III kranial (nervin oculomotor), shkakton dhimbje në regjionin e syrit, e përcjellur me lëvizshmëri të kufizuar të kërdhokullës së syrit dhe me pamje të dyfishtë (diplopi). Kur flasim për shtypjen intrakraniale duhet ta kemi të qartë që truri gjendet brenda kafkës në një hapësirë të kufizuar dhe nuk mund të rritet në vëllim për dallim prej organeve tjera në organizëm. Si pasojë e edemës (ënjtjes) së trurit që vie nga tumori në tru, rritet shtypja intrakraniale e manifestuar me dhimbje koke të gjeneralizuar.

Çfarë karakteristikash ka dhimbja e kokës te tumoret e trurit?

Dhimbja e kokës te tumoret e trurit në ¾ e rasteve ka karakteristika të kokëdhimbjes tensionuese: është e dyanshme, topitëse (jopulsuese), me intensitet mesatar, pa mundim dhe vjellje, pa përkeqësim gjatë sforcimit fizik. Karakteristikë e veçantë është edhe kontrolli gjatë aplikimit të analgjetikëve.

Vjellja në mëngjes si pasojë e rritjes së shtypjes intrakraniale

Dhimbja e kokës te tumoret e trurit nuk është fare specifike, pra shumë lehtë e mashtron pacientin dhe mjekun. Në 9 % të rasteve, dhimbja e kokës ka karakteristika të migrenës – është e njëanshme, pulsuese, e përcjellur me mundim dhe vjellje dhe rritet gjatë sforcimit fizik.

Vetëm në 8% të rasteve dhimbja e kokës te tumoret e trurit ka karakteristika tipike në bazë të cilave mund të dyshohet në tumor: është e fortë, atakon komplet kokën, është më e fortë herët në mëngjes, rritet gjatë kollitjes, teshtitjes, përcillet me mundim dhe vjellje ku zakonisht pas vjelljes pacientja/i e ndien vetën më lehtë.

Vetëm për këtë lloj të dhimbjes mund te thuhet që është tipike për tumor në tru. Ky lloj i kokëdhimbjes flet për rritjen e shtypjes intrakranaile.

Pacientët zakonisht i frikëson kokëdhimbja e fortë. Njerëzit për nga natyra mendojnë se sa më e fortë kokëdhimbja. aq më shumë kanë shanse që të kenë tumor në tru.

Realiteti qëndron ndryshe. Disa kokëdhimbje të forta, siç është migrena apo ndonjë neuralgji janë plotësisht beninjë.

Si ta zbulojmë më të keqen?

Realiteti është se tumorin në kokë nuk mundemi ta zbulojmë vetëm në bazë të kokëdhimbjes. Megjithatë nuk ka arsye për shumë shqetësim.

Nëse keni vetëm kokëdhimbje dhe jo simptoma tjera, kokëdhimbja si simptomë e vetme, rrallë është pasojë e tumorit në kokë.

Nëse keni kokëdhimbje dhe simptoma bashkëshoqëruese, si: dobësim i të pamurit, dobësim i njërës gjysmë të trupit apo vetëm një anësie (gjymtyre), humbje e papritur e vetëdijes, atak epileptik (e sidomos kur paraqitet për herë të parë pas moshës 40 vjeçare), harresa, etj, – urgjent lajmëroheni te mjeku/neurokirurgu. /Telegrafi/

Në trend Shëndetësi

Më shumë
Kur trupi ‘qan’ për ndihmë: Shtatë shenjat që tregojnë sasi të tepërt të hekurit në gjak

Kur trupi ‘qan’ për ndihmë: Shtatë shenjat që tregojnë sasi të tepërt të hekurit në gjak

Shëndetësi
Kalo në kategori