LAJMI I FUNDIT:

Kaçaniku: Hymë në librin ‘Guines’ për rritje të çmimeve

Kaçaniku: Hymë në librin ‘Guines’ për rritje të çmimeve

Javën që po e lëmë pas çmimet e produkteve elementare por edhe të naftës “fluturuan”. Vetëm një litër vaj qytetarëve u kushtoi 3.49 centë.

Gjithë kjo situatë erdhi pas agresionit rus në Ukrainë, e për çka ngjalli edhe frikën tek qytetarët për mungesë të produkteve ushqimore e që ia mësynë marketeve për të grumbulluar produktet bazë.

Një rritje e tillë e çmimeve sipas kryetarit të Shoqatës “Konsumatori” Selatin Kaçaniku, Kosovën e ka futur në librin e rekordeve ‘Guines’.

Ai të shtunën ka thënë se qytetarët duke blerë produkte nën ndikim të panikut bëjë gabim.

Kaçaniku tha se Qeveria duhet të bëjë një zgjidhje për këtë, e për çka theksoi se ekzekutivi nuk duhet ta neglizhojë konsumatorin meqë janë edhe gjenerues të buxhetit të shtetit.

“Kjo ngritje e normave është një stampedo, stuhi ose ortek i cili është i papërballueshëm veçanti pas atij veprimi të para disa ditëve që u bë rast unik në botë, hymë në librat e ‘Guines’ për rritjet më të mëdha, alarmante të çmimeve, gati 150%, që ishin ngritjet më të mëdha në botë, dhe natyrisht për një ngritje më të madhe në botë ne nuk kemi fuqi, sepse rrogën mesatare e kemi 10 herë me të ulët se mesatarja e Evropës dhe Qeveria duhet të shikoje të na bëje një hall… Ajo që duhet të ndërmerret është që fillimisht Qeveria dhe të gjitha institucionet, jo vetëm ajo, ta njohë qytetarin konsumator, familjen konsumatorë aq më parë dhe aq më shumë për arsye se ne si konsumatorë jemi taksa pagues, si taksa pagues jemi gjeneruesit kryesor të buxhetit të shtetit. Me këtë lidhshmëri ne gjithsesi, detyrimisht duhet të kemi vend, Qeveria nuk guxon më të na injorojë, nuk guxon më të na neglizhojë, por gjithsesi t’i hymë betejës bashkë”, tha Kaçaniku

Kaçaniku teksa e quajti të gabueshëm veprimin për të blerë nën ndikim të emocioneve, shtoi se bizneset nuk duhet ta dëmtojnë qytetarin-konsumatorë sepse në fund do të përfundojnë vet e dëmtuar.

“Edhe ne natyrisht se e kemi një pjesë të përgjegjësisë, fajit sepse blejmë edhe atë që nuk duhet ta blejmë, përkundër faktit që ne gjithmonë jemi përpjek t’i këshillojmë konsumatorët që mos të blejnë asgjë nën ndikimin e emocioneve. Nuk kemi nevojë të blejmë asgjë nën ndikimin e panikut sepse bëjmë veprime të gabueshme, dhe gabimi është dyfish më i madh sepse ne nuk e shikojmë skadencën, nuk e lexojmë deklaracionin për ta parë cilësinë e as për të parë peshën. Në të gjitha këto paketime që ne i kemi blerë, qoftë vaji, mielli ose diçka tjetër mungon pesha[…] Bizneset nuk guxojnë më ta dëmtojnë qytetarin konsumator sepse në fund do të dalin vet të dëmtuar”, tha ai.

Selatin Kaçaniku pati edhe një mesazh për Ditën e Konsumatorëve që shënohet me 15 mars, me siç tha ai shpresën që do të stabilizohet gjendja.

E Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i ka quajtur manipulative çmimet për vajin ushqimorë. Ai ka thënë se ngritja e çmimeve është fryrë artificialisht dhe duhet të ç’fryhet. Kreu qeveritar ditë më parë deklaroi se rritja e çmimit të vajit nuk po bëhet nga gjendja objektive në teren, por nga faktori njeri me qëllim të përfitimit në kohë krize.

Kujtojmë që pas shtrenjtimit të këtyre produkteve, pra në mbrëmjen e 10 marsit, inspektorati i Tregut në bashkëpunim me Drejtorinë për Hetimin e Krimeve Ekonomike të Policisë së Kosovës, mbylli dy depo të operatorëve ekonomikë, një në Fushë Kosovë dhe një në Graçanicë, meqë ka munguar dokumentacioni.

Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë përmes Inspektoratit të Tregut, bashkë me Inspektorët e ATK-së, Inspektorët komunal dhe Drejtorinë për Hetimin e Krimeve Ekonomike të Policisë së Kosovës, kanë inspektuar në të gjithë vendin, ku në disa operatorë ekonomikë kanë hasur në shkelje të ndryshme. Gjatë inspektimit, të një dite më parë janë shqiptuar gjithsej 20 gjoba, 4 inicime të procedurës për kundërvajtje si dhe 9 sekuestrime.

Në njoftimin e ministrisë thuhet se inspektimet do të vazhdojnë dhe në çdo rast kur konstatohen shkeljet, do të merren masa ndëshkuese.

Kurse mekanizëm tjetër që mund t’i kontrollojnë parregullsitë eventuale me çmime në treg përveç Inspektorati i Tregut në Kosovë, i cili funksionon në kuadër të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë është dhe Autoriteti Kosovar i Konkurrencës (AKK). Por që AKK prej qershorit të vitit të kaluar është jofunksional për shkak se kryetarit, nënkryetarit dhe tre anëtarëve të këtij komisioni u ka skaduar mandati pesëvjeçar./kp/Telegrafi/