Juventusi kërkon ta blej përfundimisht Francisco Conceicao, Porto refuzon ofertën e parë

Juventusi ka bërë ofertën e parë për transferimin përfundimtar të Francisco Conceicao, por është refuzuar nga Porto.
Sipas gazetarit Nicolo Schira, klubi portugez nuk ka pranuar shumën prej 22 milionë eurosh.
Anësori 22-vjeçar ishte i huazuar te Juventusi gjatë sezonit 2024/25 dhe ka shprehur dëshirën e tij për të qëndruar në Torino.
Megjithatë, klubi italian nuk është i gatshëm të aktivizojë klauzolën e lirimit prej 30 milionë eurosh, e cila është e vlefshme deri më 15 qershor 2026.
Juventusi po përpiqet të negociojë një marrëveshje të re me çmim më të ulët, të paguar në disa këste, duke shpresuar në mirëkuptimin e Portos.
Conceicao është dalluar me paraqitjet e tij, përfshirë dy gola në fitoren 5-0 kundër Al Ain në Kupën e Botës për Klube.
Forma e tij ka tërhequr gjithashtu interesin e klubeve si Atletico Madrid dhe RB Leipzig, që po e ndjekin nga afër situatën e tij.
Bisedimet pritet të vazhdojnë në ditët në vijim, ndërsa Juventusi mbetet i vendosur për ta bërë portugezin pjesë të përhershme të skuadrës. /Telegrafi/














































