E ardhmja e Juventusit mund të ndërthuret së shpejti me Arabinë Saudite. Il Domani raporton se John Elkann ka krijuar kushtet për hyrjen e një investitori të ri në klub, potencialisht princit saudit Mohammed bin Salman.

Sipas medias italiane, gjatë muajve të fundit CEO-ja e Exor ka zhvilluar lidhje të ngushta me bin Salman, të konfirmuara edhe gjatë një vizite zyrtare në Arabinë Saudite majin e kaluar, ku Elkann ishte së bashku me Donald Trump dhe një grup të përzgjedhur drejtuesish biznesi.


Aktualisht, kontaktet ndërmjet palëve fokusohen kryesisht te J Medical, që është gati të mbështesë Arabinë Saudite në trajnimin e stafit të specializuar dhe në krijimin e infrastrukturës mjekësore të modeluar sipas qendrës në Torino.

Ky projekt ka një simbolikë të fortë dhe mund të hapë rrugën për investime më të mëdha në të ardhmen, përfshirë edhe një pjesëmarrje në kapitalin e Juventusit, ku fondi Tether është tashmë një aksioner minoritar.

Edhe pse Elkann ka mohuar në mënyrë të përsëritur një largim të plotë nga klubi, ai po zhvillon një ristrukturim të thellë me synimin që Juventus të bëhet më modern, më efikas dhe më tërheqës për investitorët ndërkombëtarë.

Hyrja e bin Salman — një figure qendrore në debatet politike, ekonomike dhe sociale, pritet të shkaktojë diskutime që shkojnë përtej fushës së sportit.

Nga ana financiare, megjithatë, lëvizja do të ishte e fuqishme dhe mund të paraprijë skenarë dikur të paimagjinueshëm, si shitja e 65% të aksioneve që aktualisht mbahen nga Exor./Telegrafi/

telegrafi sport app