Juventusi dhe Milani, nuk gjejnë rrjetën: Tri gjëra që mësuam në barazimin në Torino

Juventusi dhe Milani ndanë pikët në një barazim pa gola (0-0) të dielën mbrëma në “Allianz Stadium”, në një ndeshje të ngurtë ku të dyja skuadrat dështuan të shfrytëzonin rastet e tyre, që ishin të pakëta.
Milani pati mundësinë më të mirë të takimit, por Christian Pulisic dërgoi mbi traversë penalltinë e fituar pas ndërhyrjes së Lloyd Kelly ndaj Santiago Gimenez.
Ky rezultat i siguron Milanit portën e katërt të paprekur këtë sezon, ndërsa Juventusi mbetet i pamposhtur pas gjashtë ndeshjeve të para të kampionatit, por me tri barazime. Megjithëse asnjëra skuadër nuk arriti të marrë tri pikët, sfida në Torino solli disa mësime të vlefshme për të dyja palët.
- YouTube www.youtube.com
Të dy skuadrat vuajnë para portës
Si Juventusi, ashtu edhe Milani po kalojnë një periudhë jo të mirë në aspektin ofensiv. Në verë, “Rossonerët” kërkonin një qendërsulmues dhe u përfolën për transferimin e Dusan Vlahovic, por serbi mbeti në Torino pasi “Zonja e Vjetër” mori Jonathan David nga Lille.
Në fund, Vlahovic qëndroi te Juventusi, që në afatin e fundit të afatiti kalimtar shtoi edhe Lois Opendan, por belgu ende nuk ka gjetur rrugën e rrjetës. Nga ana tjetër, Milani mori Christopher Nkunkun, i cili megjithëse nuk është sulmues natyral, shihej si alternativë për majën e sulmit.
Rezultatet deri më tani janë zhgënjyese për të dyja. Juventus dhe Milan kanë shënuar vetëm nga 9 gola secila, shumë më pak se rivalët e tjerë si Atalanta (11), Napoli (12) dhe Inter (17).
Mbrëmja e së dielës ishte pasqyra më e qartë e problemit të tyre: mungesë e qartësisë para portës. Giménez vazhdon të bëjë lëvizje të mira për Milanin, por pa konkretizim, ndërsa te Juventusi, Jonathan David duket se po përballet me mungesë të madhe vetëbesimi.

Luka Modric, ende dirigjenti i padiskutueshëm
Në një ndeshje ku munguan golat, më i spikaturi në fushë ishte Luka Modric. Mesfushori kroat, tashmë 40-vjeçar, edhe njëherë tregoi klasin e tij duke qenë figura qendrore e Milanit në mesfushë. Ish-lojtari i Real Madridit vazhdon të jetë lideri i skuadrës. Pozicionimi i tij perfekt dhe aftësia për të kontrolluar ritmin e lojës i japin Milanit stabilitet dhe siguri.
Në shumë momente, Modric tërhiqej më pas për t’i ndihmuar mbrojtësit dhe për të nisur aksionet, duke lejuar mbrojtësit e krahut të përfshihen në sulm.
Për më tepër, prania e tij ndikon pozitivisht te futbollistët e rinj, të cilët frymëzohen nga përvoja dhe qetësia e tij. Modric mbetet jo vetëm zemra e lojës së Milanit, por edhe shembulli që udhëheq grupin.

Përforcimet verore kërkojnë më shumë hapësirë
Përveç Modric, Jonathan David dhe Adrien Rabiot ishin të vetmit emra të rinj që nisën ndeshjen titullarë. Rabiot ka bërë paraqitje solide që prej ardhjes te Milani, por në rikthimin në “Allianz Stadium” nuk arriti të shkëlqejë.
Nga ana tjetër, trajnerët Igor Tudor dhe Massimiliano Allegri vazhdojnë të tregohen të rezervuar në përdorimin e prurjeve të reja. Lois Openda, që iu bashkua Juventusit në fund të verës, ka luajtur vetëm një ndeshje si titullar dhe nuk ka ende asnjë gol apo asist pas 135 minutave në Serie A.
Openda u aktivizua për 20 minuta ndaj Milanit, por përsëri dukej pa ritëm dhe pa lidhje me pjesën tjetër të skuadrës.
Te Milani, disa afrime të tjera verore – si David Odogu, Koni De Winter dhe Zachary Athekame – mbetën në stol, pa asnjë minutë në këtë takim. Megjithatë, më shumë pyetje ngrihen për Samuele Riccin.

Ricci, i transferuar nga Torino me mbi 150 ndeshje në Serie A, ka luajtur vetëm një herë si titullar (në Kupën e Italisë ndaj Lecces) dhe vetëm 61 minuta në kampionat. Konkurrenca me Modric është arsyeja kryesore, por Allegri duhet të gjejë mënyra për ta përfshirë më shumë një talent të tillë në mesfushë. /Telegrafi/


































