0Shares

Këngëtarja Jonida Maliqi është shquar gjithmonë si njëra ndër këngëtaret më të veçanta dhe më me stil të skenës.

Së fundmi, ajo shënoi rikthimin e saj në muzikë pas një mungese tre vjeçare me projekte të reja, duke sjellë këngën e saj më të fundit “N’errësirë”.

Ajo vjen kësaj radhe në një intervistë për Telegrafin, për të rrëfyer më shumë rreth rikthimit të saj në skenë, punës si sipërmarrëse e suksesshme dhe planeve që ka për të ardhmen. Një ditë e zakonshme nga jeta e saj, është gjithashtu pjesë e këtij rrëfimit të këngëtares shumë të dashur për publikun.

Jonida, sollët para pak javësh këngën tuaj më të re “N’errësirë”. Na flisni pak më shumë rreth këtij projekti?

Pas tre vjetësh rikthehem për publikun me një këngë shpirti të cilën e realizova falë bashkëpunëtoreve të mi me Olti Currin, i cili shkroi tekstin, muzikën nga unë dhe “Tull Productions”, regjia dhe skenari nga Donald Braho, realizimi i klipit nga ProVideo ,si dhe partnerin në klip, modelin e mirënjohur,Oni Pustina. Shfrytëzoj rastin për t’i falënderuar të gjithë për punën e mrekullueshme.

Jonida Maliqi: Pas tri vitesh u riktheva me këngë shpirti (Foto: Edvina Meta)

Me këtë këngë shënoni edhe një rikthim në muzikë pas tri vitesh nga kënga “Jam bërë si ti”. Na trego pak pse kjo pauzë në muzikë dhe si ishte të rikthehesh?

Ndaj e përmenda më lart ishte shumë i rëndësishëm për mua ky rikthim, sepse mbi të gjitha e kam ndjerë mungesën e të kënduarit dhe ishte një farë domosdoshmërie që të gjendesha sërish pranë publikut me artin tim. Arsye konkrete nuk ka pasur, thjesht tani ishte momenti i duhur.

“N’errësirë” është një këngë e lehtë dhe e shoqëruar me një klip të veçantë. Ishte ideja juaj që të riktheheshit kaq thjeshtë?

Nuk mund të them baladë e lehtë, pasi nuk është këngë tipike limonadë, përkundrazi ka veçantinë e saj në shumëzërëshin dhe mendoj se kam qëndruar besnike kundrejt stilit dhe vokalit tim.

Jonida Maliqi: Ishte momenti i duhur të rikthehesha me një këngë brenda stilit tim (Foto: Edvina Meta)

A jeni duke punuar për projekte të reja, nëse po, mund të na zbuloni pak nga projekti i ardhshëm?

Pres të pushoj në këtë stinë vere dhe pastaj t’i futem punës sërish për një këngë të re. Mendoj që nuk do të jetë baladë por diçka tjetër, ama edhe vetë nuk i kam idetë e qarta se çfarë dua konkretisht, gjithsesi do të vijë momenti duke shpresuar që kjo stinë të më inspirojë për të ardhmen.

Jeni një nga femrat më me stil të shoubizit shqiptar. Na trego pak sa kujdes i kushtoni vetes dhe çfarë është moda për ty?

Ju faleminderit, në fakt nuk bëj asgjë të veçantë nga femrat e tjera, sigurisht që përkujdesem për mënyrën e të ushqyerit dhe bëj gjithashtu aktivitet fizik trajtimet estetike janë kthyer në regjim tanimë. Moda për mua ka të bëjë me ‘lifestyle’, është një farë statusi që i përket çdo individi te dikush është më e dukshme tek të tjerët më pak ama varet se sa komfort dhe guxim ke që të jesh vetëvetja.

Këngëtarja Jonida Maliqi shfaqet me stil në çdo paraqitje të saj (Foto: Edvina Meta)

Keni krijuar gjithashtu një lidhje shumë të veçantë me fansat e shumtë që ju ndjekin në Instagram. Sa kohë marrin nga jeta juaj rrjetet sociale?

Varet nga dita kur kam kohë jam e përkushtuar kur nuk mundem dhe kam prioritete të tjera bëj pushim. Megjithatë Instagrami tani për mua, mund të konsiderohet dhe si një punë ‘part-time’.

Jeni imazhi i brendit shumë të dashur “Baronesha”. Na fol rreth bashkëpunimit me këtë brend, dhe kur jemi te ushqimi, sa jeni e apasionuar pas ngrënies dhe përgatitjes?

“Baronesha” në vetëvete përmban produkte super cilësore ushqimore nga e gjithë bota. Jam e nderuar që e përfaqësoj dhe sigurisht ushqimi është kënaqësi më vete.

Tash e sa muaj, Jonida Maliqi është imazh i kompanisë “Baronesha” (Foto: Edvina Meta)

Përveçse një këngëtare edhe një sipërmarrëse e suksesshme. Si po ju ecën puna me butikun dhe sa jeni aktive në këtë drejtim?

Unë nuk jam blogere, pasi nuk e kam një të tillë, mund te shprehem influencer më mirë. Puna po ecën mashalla, dhe së shpejti “Unique” do të bashkohet e zgjerohet me një tjetër biznes të ngjashëm, gjithashtu të krimuar nga një tjetër personazh publik. Ishte koha për ndryshim.

Keni një lidhje shumë të veçantë me djalin tuaj, Danin. Na tregoni pak si është raporti nën e bir mes jush, dhe si e kaloni bashkë një ditë të zakonshme?

Im bir është jeta ime, vjen në plan të parë dhe marrëdhënia jonë është e mrekullueshme për më tepër dihet lidhja e veçantë që ka një nënë me djalin e saj. Rutina e tij e zakonshme është kopshti dhe më pas kohën tjetër e kalojmë së bashku.

Jonida Maliqi dhe djali i saj, Dani (Foto: Instagram)

Po afrohet vera, keni menduar për pushime? Nëse po, ku do t’i kaloni?

Pas një jave nisem me prindërit dhe Danin për në Turqi, që e kemi si ritual të përvitshëm më pas udhëtime të tjera na presin si për punë dhe pushime të vazhdueshme gjatë këtyre tri muajve. Uroj të shkojë gjithçka mbarë.

Thënia juaj e jetës?

Mendo pozitivisht që të jetosh qetësisht. Vështirë në këtë periudhë që jetojmë ama këtë ia them vetes çdo mëngjes.

Jonida, faleminderit shumë që ishe pjesë e kësaj interviste. Cili do të ishte një mesazh i yti për lexuesit, për fund?

I uroj të gjithëve pushime të mbara dhe shëndet, e sa më shumë dashuri. /Telegrafi/

Foto: Edvina Meta

Të Ngjajshme
Shfaq Komentet (0)