Jon Dahl Tomasson, ka konfirmuar tre lojtarë në formacionin titullar për ndeshjen ndaj Kosovës

Përzgjedhësi i Suedisë, Jon Dahl Tomasson, ka konfirmuar tre lojtarë në formacionin titullar për ndeshjen e ardhshme kualifikuese për Kupën e Botës kundër Kosovës, por zgjedhja e kapitenit mbetet ende një befasi.
Në konferencën për shtyp para ndeshjes, Tomasson konfirmoi se Alexander Isak dhe Viktor Gyökeres do të jenë titullarë, ndërsa portieri do të jetë Viktor Johansson. Ai nuk ka zbuluar se kush do të jetë kapiteni i ekipit në fushë.
“Do të duhet të presim dhe të shohim. Nuk do t'u japim shumë informacion miqve tanë në Kosovë. Do të jetë një befasi nesër”, deklaroi Tomasson.

Alexander Isak kishte mbajtur shiritin e kapitenit kundër Zvicrës, por nuk dihet nëse do ta mbajë edhe ndaj Kosovës.
Qendërmbrojtësi dhe kapiteni i rregullt, Victor Nilsson Lindelöf, nuk luajti në ndeshjen e fundit, por Tomasson e konsideron shumë të rëndësishëm për ekipin.
“Viktori ka treguar lidership brenda dhe jashtë fushës në mënyrë të shkëlqyer. Edhe pse nuk luajti në ndeshjen e parë, mund të ketë një rol kyç nesër”, shtoi ai.

Suedia ka vetëm 1 pikë pas tre ndeshjeve kualifikuese dhe synon të luftojë për vendin e dytë në grup, që aktualisht mbahet nga Kosova me 4 pikë.
Ndeshja Suedi-Kosovë zhvillohet të hënën në Göteborg dhe pritet të jetë një sfidë vendimtare për renditjen në grup. /Telegrafi/



































