Sulmuesi kolumbian Jhon Duran është transferuar te Fenerbahçe nga Al-Nassr në formë huazimi, ku pritet të luajë nën urdhrat e Jose Mourinhos.

21-vjeçari iu bashkua Al-Nassr në janar nga Aston Villa për 77 milionë euro, duke ndarë dhomën e zhveshjes me Cristiano Ronaldon.


Megjithëse Duran realizoi 12 gola në 18 paraqitje, Al-Nassr nuk arriti të fitonte titullin dhe sulmuesi vendosi të rikthehej në futbollin evropian.

Kontrata e tij me klubin saudit është e vlefshme deri në vitin 2030, por oferta nga Mourinho dhe ambicia e Fenerbahçes e bindën kolumbianin të pranojë këtë aventurë të re.

Sipas mediave britanike, qëndrimi i tij në Arabinë Saudite i solli mbi 8 milionë euro, pesëfish më shumë se sa do të kishte përfituar në Ligën Premier për të njëjtën periudhë.

Karriera e Duranit nisi në MLS me Chicago Fire, ku spikati me 8 gola në 27 ndeshje, për të kaluar më pas në Aston Villa në vitin 2023.

Sot, ai vjen si një lider i mundshëm i sulmit të Fenerbahçes dhe si një aset i vlefshëm për Mourinhon./Telegrafi/ 

telegrafi sport app