LAJMI I FUNDIT:

Jeta nga zgafellja (Foto)

Jeta nga zgafellja (Foto)

Kosova është vend i begat e me pasuri natyrore. Ndërsa, veriu është i njohur për mineralizimet e plumbit dhe zinkut. Ato gjenden në “Trepçë”, në minierën që në Stantërg të Mitrovicës.

“‘Me Fat” është mbishkrimi mbi mur, që uron secilin njeri që depërton brenda. Në hyrje të Minierës ishin të pozicionuar punëtorët e sinjalizimit të ashensorit. Ata janë Nehat Prekazi dhe Fadil Bala, që merrnin dhe jepnin sinjalin për të dërguar dhe ngritur lartë me ashensor minatorët, por edhe vizitorët. E, për ajrimin e minierës kujdesej Vesel Tahiri.

Zbritja me ashensor ishte sfiduese, por edhe emocionues. Kjo të lejonte të nënkuptoje se sa e vlefshme është xehja që nxirret – e vlefshme sa jeta për ta jetuar.


Ndriçimi depërtonte në fillim të Minierës, përkatësisht në horizontin e 10-të. Më pas, shoqërues – i ambientit të rrethuar me tokë ngado – ishte vetëm errësira. Patjetër duhej një llambë që të mundësonte ndriçim për t’u orientuar. Ngado errësirë. Lagështia ta zinte frymën, ndërsa zhurma e makinerive kumbonte ngado. Horizonti i 10-të ndahej në tre drejtime: qendra, veriu dhe jugu.

Rruga për në pjesën jugore të Minierës ishte e mbuluar me ujë, gjë që të vështirësonte edhe në ecje. Minatorët punonin. Dëgjohej zhurma e tyre, edhe pse ishte e largët, sepse ata gjendeshin në fund të tunelit duke punuar.

Fytyrat mezi i dalloje nga errësira që mbretëronte 800 metra nën tokë. Njëri nga minatorët, i cili ishte mbuluar krejtësisht nga djersët dhe nga pluhuri i dheut të zi, quhej Fitim Azemi. Ishte i ri në moshë. Punon që katër vite si minator i “Trepçës”. Në pamundësi të ndonjë pune tjetër, ai tregon për Telegrafin se është i kënaqur me punën që e bën, edhe pse lodhja e tepërt e shoqëron gjatë gjithë punës.

“Punoj që katër vite në minierë. Njëherë është mirë, se ma mirë njëherë nuk ka. Po bëjmë shpimin për të nxjerrë xehe”, fliste ai duke fshirë djersët që i pikonin vazhdimisht.

Azemi tha se kjo punë do shumë mund dhe se brenda dy orëve i shpojnë deri në 50-60 metra tokë me bumer, ndërsa me makinë të dorës më pak.

Minatori tjetër 53-vjeçar, Sadik Islami, tha se për mbijetesë duhet sakrifikuar shumë, pasi që me rrogën e minatorit ai e mban familjen pesë-anëtarëshe.

“Është shumë punë e vështirë, mirëpo për idare punoj. Shiko, jam i mbuluar me djers. Punoj që nga viti 2004, por kam punuar edhe përpara lufte, prej vitit 1981. Është punë e rëndë dhe me rrezik, po s’kemi çka të bëjmë. Me rrogë të minatorit e mbaj familjen”, tregoi ai, duke u nxituar që mos t’i ikte koha për të kryer obligimet e tij.

Po ashtu, Islami tha se në orën 7:30 hyjnë në Minierë dhe se dalin në orën 13:30, pasi duhet të pastrohen për të shkuar në shtëpitë e tyre.

“Njëherë mirë jemi e më vonë s’e di. Nuk është puna e njëjtë si jashtë si këtu. Këtu na mban shoqëria. Jemi si një familje. Jam adaptuar me këtë punë”, shtoi më tej Islami, duke ia rrahur krahët Fitimit të cilin e konsideronte si anëtar të familjes.

Mbikëqyrësi i ndërrimit C në horizontin e 10-të në punishten 147M, Xhevdet Haxha, tregon se si dhe pse bëhet minimi i xehes.

“Minatorët i shpojnë vrimat dhe në fund të ndërrimit i mbushin. Ato i minojnë dhe e përgatisin xehen për ndërrimin e dytë. Për momentin këtu është nxehtë e avull. Punoj që nga viti 1983. Puna në minierë është e mirë, edhe pse pak e vështirë. Por, në përgjithësi është mirë. Në familjen time punoj vetëm unë. Ia dalim të mbijetojmë”, thotë ai.

Kur janë kushtet e punës të lidhura drejtpërdrejt me frymëmarrjen dhe organizmin, problemet shëndetësore janë të paevitueshme.

“Problem shëndetësore nuk kam. Tetë orë punojmë këtu. Ushqehemi këtu me një vakt të mëngjesit në Mensën e Minierës. Kur dalim, shkojmë pastrohemi dhe vazhdojmë jetën tonë”, shtoi tutje ai .

Po ashtu, Haxha tha se në momentin kur hynë këtu, jo vetëm që duhet të jesh i përgatitur fizikisht, por edhe psikikisht për arsye se hyjnë 800 metra nën tokë.

“Me ndodh diçka këtu, më të afërt se njëri-tjetrin nuk e kemi askënd. Në dorë të Zotit jemi”, fliste ai duke shtrënguar duart .

Refik Veseli, 39-vjeçar, i cili me profesion është inxhinier i Gjeologjisë, tregoi për Telegrafin se Miniera e “Trepçës” llogaritet ndër minierat më stabile në Evropë.

“Vet fjala minierë nuk të jep kënaqësi, sepse rrezikohesh nga vendi i punës. Me një fjalë, duhet të jemi shumë të kujdesshëm. Realisht kemi pasë fat që ne, gjenerata e re, e kishim gjeneratën e vjetër të na orientojnë në punë. Këtu njeriu sfidohet përditë me rreziqe të punës”, ka thënë Veseli.

Ai na sqaroi se bartja e minatorëve dhe e xehes bëhet nga dy ashensor të ndryshëm, ku shpejtësia maksimale e ashensorit arrinte deri në 6.5m/s .

“Rruga nga lart deri në horizontin e 10-të në minierë ose anasjelltas bëhet për tre minuta. Diametri i këtij pusi është 5.5 metra. Njëra pjesë me dy kafaze shërben për bartjen e njerëzve. Ndërsa, pjesa tjetër e pusit, e cila është e ndarë me rrjet, shërben për bartjen e xehes nga horizonti i 11-të deri në horizontin e parë që është bunkeri që deponohet me xehe. Lartësia e pusit është 800 metra”, shpjegon ai. “Miniera në horizontin e 10-të në vijën kryesore është e gjatë 1.7 km. Miniera ndahet në pjesën veriore, jugore e qendrore . Miniera ka kapacitet të mjaftueshëm për shfrytëzim. Diku llogariten rreth 22 milionë tonelata rezerva në minierë, duke mos i përfshire edhe vendet tjera, por vetëm Minierën e ‘Trepçës’“.

Sipas tij, janë katër minerale kryesore që nxirren nga Miniera e Trepçës: galeriti , sfaleriti , piriti dhe pirotina .

“Janë të njohura diku 70 minerale, po kuptohet në sasi më të vogla. Për momentin ne e ndajmë vetëm koncentratin e plumbit dhe të zinkut, se nuk kemi ndonjë proces teknologjik tjetër. Varësisht se kush e fiton tenderin e që i ka kushtet më të favorshme për ne, e merr kontratën për një vit. Ata vijnë e marrin dhe e transportojnë për bartje deri tek teknologjia e tyre për shkrirje”, shprehet ai.

Minatorët, sipas Veselit, e ndjekin pjesën anësore derisa ka xehe dhe kur arrijnë në shkëmbinjtë gëlqeror ose në rreshpe, ndërpritet puna, që d.m.th nuk janë profitabil.

“Lartësia e hapjes së tunelit duhet të shkojë deri në 5.5 metra, sipas rregullave të xehetarisë . Mundohemi të ndajmë gurin nga xehja, sepse transporti kushton dhe nuk nxirret asgjë nga guri”, vazhdoi tutje Veseli.

Temperatura e nxehtë në Minierë shkon deri në 30 gradë celsius, edhe pse ajrimi mundohet të rregullojë gjendjen e temperaturës sa më konstant. Uji, sipas Veselit, është problemi kryesor: nëse për një kohë të caktuar nuk bartet uji, atëherë miniera mund të bllokohet.

“Ujin e bartim me gypa. Grumbullohet në horizontin e 11-të, ku janë rezervuarët akumulues, dhe prej aty përmes pompave kalon në horizontin e nëntë. Edhe aty janë rezervuarët, e pastaj në horizontin e pestë dhe pastaj tek horizonti i parë. Më pas derdhen në kanal, ku përmes kanalit shkon deri në lumin ‘Trepça’”, sqaroi për Telegrafin ai.

Gjithashtu, Veseli tha se një ndërrim i ka rreth 70 ose 80 punëtorë, së bashku me Administratë.

“Stafi në ndërrimin e parë është më i madh, se është edhe Drejtoria e Administrata, ndërsa në ndërrimin e dytë e të tretë kryesisht bëhet punë prodhuese”, shtoi ai.

Përveç minatorëve të minierës që punonin vazhdimisht punën e tyre për të nxjerr sa më shumë xehe, aty erdhën një grup i turistëve të diasporës. Kureshtja i kishte shtyrë ta vizitonin këtë Minierë. Njëri ndër ta ishte edhe një djalosh i cili vinte nga Finlanda, por me prejardhje nga fshati Bajgorë i Mitrovicës. Quhet Agron Istrefi, e kjo vizitë në ‘Trepçë’ ishte e para e tija.

“Vij për herë të parë këtu. Emocionet nuk përshkruhen”, tha ai me një buzëqeshje në fytyrë.

Telegrafi po ashtu kontaktoi edhe me drejtorin e Minierës me Flotacion, Qazim Jashari, i cili është inxhinier i diplomuar i Xehetarisë. Ai tha se Miniera e “Trepçës” njihet për metalet kryesore, si plumbi dhe zinku.

“Po ashtu ajo përmban edhe këto xehe, si: ari, argjendi, bakri, hekuri, arseni, kadmiumi, kalciumi, bismuti, e shumë të tjera që janë në sasi më të vogël në përmbajtjen e koncentratit”, ka thënë ai.

Jashari sqaroi se cila procedurë ndiqet kur xehja nxirret nga nën toka, ndërsa shtoi se nga prodhimi I fituar sigurohen të ardhura për punëtorë dhe shpenzimet e nxjerrjes së përpunimit.

Momentalisht në Minierën me flotacion, “Trepça”, janë të punësuar 720 punëtorë, kurse në krejt “Trepçën” Jugore 1480 punëtorë.

“Kushtet e punëtorëve në minierë nuk janë dhe aq të mira, por çdo herë ka vend për përmirësime mirë. Në Minierë çdo herë ka nevojë për fuqi të re punëtore, sepse punët, përveç profesionalizmit, kërkojnë edhe fuqi fizike”, theksoi Jashari. /Elfije Boletini/Ridvan Slivova/Telegrafi/

Jeta nga zgafellja!Shikojeni galerinë e fotografive të fotoreporterit të Telegrafit, Ridvan Slivova

Posted by Telegrafi.com on Friday, July 10, 2015