Jerome Boateng pensionohet nga futbolli

Mbrojtësi Jerome Boateng ka njoftuar tërheqjen nga futbolli profesionist, duke mbyllur një karrierë prej 19 vitesh që e ktheu atë në një nga lojtarët më të dekoruar të Gjermanisë.
Gjermani largohet nga futbolli me disa tituj të mëdhenj si: Kupa e Botës 2014, dy tituj të Ligës së Kampionëve, nëntë tituj të Bundesligës, si dhe çmimin prestigjioz “Futbollisti Gjerman i Vitit” në 2016.
Karriera e tij nisi në akademinë e Hertha BSC, ku debutoi me ekipin e dytë dhe më pas me ekipin e parë, përpara se të fitonte vëmendjen e Hamburgut (2007–2010). Një sezon me Manchester Cityn (2010–2011) i hapi rrugë transferimit më të rëndësishëm të jetës së tij: Bayern Munich.
Te bavarezët, Boateng zhvilloi kapitullin më të lavdishëm të karrierës, duke luajtur 229 ndeshje dhe shënuar 5 gola nga viti 2011 deri më 2021, duke fituar çdo trofe të mundshëm në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar.

Pas largimit nga Bayern, mbrojtësi u aktivizua me Lyon, Salernitana dhe së fundmi me LASK në sezonin 2024-25, ku edhe mbylli karrierën.
Me kombëtaren e Gjermanisë, Boateng grumbulloi mbi 70 paraqitje ndërkombëtare, duke u paraqitur në tre Botërorë radhazi (2010, 2014, 2018). Kurora e suksesit mbetet padyshim fitimi i Kupës së Botës në Brazil (2014), ku ishte një nga shtyllat e mbrojtjes së ekipit të Joachim Low./Telegrafi/


















































