LAJMI I FUNDIT:

Jehonat e sovranizmit putinian

Jehonat e sovranizmit putinian
Ilustrim

Presidenti i Federatës Ruse, Vladimir Putin, iu rikthye kësaj jave temës së tij të parapëlqyer të sovranizmit në një “botë që po ndryshon me shpejtësi”, siç tha ai. Duke patur parasysh patjetër ngjarjen më të madhe dhe më dramatike të kohës: agresionin e paprovokuar ushtarak të Rusisë së tij kundër Ukrainës; efektet zinxhir të këtij agresioni në rrafshin botëror. Ku përtej alibive fatalisht të njëjta me ato të Hilterit kur sulmoi Çekinë në vigjilje të Luftës së Dytë botërore, shohin të përvijohet një përballje mes autokracisë një anë dhe demokracisë në anën tjetër.

Bota ka jetuar, jeton e mund të jetojë në një diversitet regjimesh e sistemesh që japin e marrin në një garë të natyrshme zhvillimi me njëra tjetrën. Ku sistemet shfaqin epërsitë apo defektet e tyre. Koha ka dëshmuar në më shumë se njëherë epërsinë e vendeve të lira në zhvillim, në shkencë, në teknologji, në nivelin e të ardhurave për frymë, në cilësinë e jetës së individëve dhe familjeve, e tjerë e tjerë . Pavarësisht nga kjo, ShBA që përfaqëson bastionin më të fuqishëm të demokracisë në planet, vendet demokratike në Evropën Perëndimore, në dy Amerikat e deri në Azi nuk kanë dhënë shenjën më të vogël se e kanë shqetësim apo po mendojnë të ndryshojnë natyrën e regjimit në Rusi. Sekush në rrugën e vet.

Përballja ka nisur e njëanshme. E Rusisë me Perëndimin. Rusia ka hedhur dorashkën. Përballje me luftë. Ukraina është arena. Falë demokracisë, Ukraina arriti të bëhej një lloj “qyteti që shndrit mbi kodër” në krahasim me Rusinë autokratike dhe vendet e tjera të ish Bashkimit Sovjetik nën orbitën e Moskës. Demokracia e vendit fqinjë ishte e para që u vrau sytë dhe nuk duruan Putini me klikën e tij. Të tjerat janë istrumentalizime.

Por, ndryshimi me shpejtësi i botës, sipas carit të ri të Kremlinit, nënkupton shumë me shumë se shndërrimin e Ukrainës në një Bjellorusi të madhe nën ombrellën ruse.

Në realitetin e ri që ka në mendje ai, nuk ka shtete të ndërmjetme, por vetëm shtete sovrane ose shtete koloniale, pa asnjë shans për të mbijetuar në luftën gjeopolitike! “Çdo vend, çdo popull, çdo grup etnik duhet të garantojnë sovranitetin e tyre”. Në të kundërtën, alternaitva do të ishte të bëheshin një “koloni pa perspektivë”, citohet të këtë thënë Putin.

Referimi i drejtpërdrejtë i shkon Ukrainës. E cila në vend që të përqafonte nënën Rusi ka zgjedhur të jetë demokraci, pjesë e familjes perëndimore dhe po e mbron me sakrifica të jashtëzakonshme zgjedhjen e saj.

Çdo vend që ka bërë të njëjtën zgjedhje, siç është edhe Shqipëria, mund ta gjeje vetën në grupin e vendeve të ndërmjetme të destinuara për tu zhdukur apo të një “kolonie pa perspektivë”, sipas liderit rus.

Putin përdor fraza të përgjithshme e të rrumbullakosura, që i bëjnë jehonë në pamje të jashtme një vlere dhe aspirate të shenjtë të çdo vendi për të qenë i lirë, sovran, i pavarur. Ai nuk përmend asnjë shembull me justifikimin se nuk dëshiron të fyejë vendet. E le kësioj të vagëllt e të pa qartësuar mesazhin e vet. Duke ia kaluar stafetën propagandës, që kjo t’ja ta përcjellë të gatuar siç duhet publikun trushplarë

Po çfarë është koncepti i tij për sovranizmin?

Çfarë sovranizmi mund të reklamojë dikush që sundon prej me shumë se dy dekadash si një autokrat rrethuar nga një kavaleri oligarkësh? Dikush që nuk bën zgjedhje të lira, të drejta e të barabarta në vendin e tij? Dikush që burgos kundërshtarët dhe rivalët politikë? Dikush që ka sulmuar me ushtri dhe bombardon me raketa prej njëqind e ca ditësh, duke vrarë e shkatërruar, një vend tjetër që e ka zgjedhur me votë popullore fatin e vet, që ka bërë disa herë rrotacionin e pushtetit me votë të lirë, siç është Ukraina.

Emri i vërtetë i sovranizmit putinian është krejt e kundërta e fjalës sovranizëm: është nënshtrimi i vendeve ndaj Rusisë dhe nënshtrimi i popullit ndaj kukullave të Putinit në këto vende. Shembujt e vendeve “sovrane “ nën tutelën e Moskës janë një ilustrim par exellance.

Është shumë e qartë se kur flet për “ koloni” që kanë humbur sovranizmin, Putin nuk e ka fjalën për satelitët e tij. Satelitet e tij me siguri i konsideron tepër sovranë! Mjaft ti rrinë gatitu atij dhe ta imitojnë si sundimtar.

Është po aq e kuptueshme se kur flet për “koloni” ai e ka fjalën parasëgjithash për aleatët e SHBA-së, për vendet e NATO-s, për vendet evropiane dhe jo evropianë që nuk janë në NATO apo BE por kanë si model dhe busull demokracinë. Putin sikurse gjithë autokratët dhe tiranët konfondojnë me dashje zgjedhjen e lirë me votë të fshehtë të popujve, me imponimin a me blerjen e qeverive vasale. Ne e dimë se hyrja në NATO dhe BE ka qenë dhe është një aspiratë qytetare. Kaq e vërtetë është kjo sa deri para agresionit të Rusisë kundër Ukrainës, Finlanda dhe Suedia nuk ishin në NATO sepse nuk kishin një shumicë popullore në favor të aderimit. Lufta i ndryshoi raportet. Tani shumica e suedezëve dhe finlandezëve, duke parë ç’po bën Rusia në Ukrainë, duan hyrjen në NATO. E duan për të mbrojtur në kuadrin e fuqisë dhe klauzolave të solidaritetit mes vendeve të NATO-s sovranitetin dhe integritetin e tyre territorial kundër rrezikut të një agresioni rus, kundër rënies nën zgjedhën ruse. Pra për krejt të kundërtën e asaj për të cilën i akuzon koncepti putinian për sovranizmin.

Veç kësaj që thamë më lart, hyrja në NATO dhe BE as i imponohet kujt, as është dhuratë. Hyrja duhet merituar. Ajo kalon nëpër etapa dhe kritere të shumta, plotësimi i të cilëve merr vite. Për vendet që ia kanë dalë apo janë në rrugën e plotësimit të kësaj aspirate hyrja në NATO dhe BE është demokraci, zhvillim, siguri, sovranitet në kuadrin e aleancave dhe vlerave demokratike që është i vetmi sovranizëm real. Sovranizmi ynë në Shqipëri dhe në Kosovë është euroatllantik në përcaktim, në markë. Alternativa e tij është izolimi komunist i Enver Hoxhes që për fat duket i pamundur në ditët tona dhe i ashtuquajturi sovranizëm nën ombrellën e Moskës. Bota që po ndryshon me shpejtësi, sipas shprehjes së përdorur nga kreu i Rusisië, e ka bërë edhe më të qartë këtë. Në fakt gjuha e Putinit i bën jehonë diskurit të disa partive të vetëquajtura sovraniste në Evropë ( jo partitë konservatore tradicionale të Anglisë, Hollandës e tjerë), siç janë përshembull Lega Nord në Itali, Bashkimi Kombëtar Marin le Pen në Francë e ndonjë tjetër. Anasjelltas, gjuha e këtyre partive me lidhje të ngushta dhe të financuara disa prej tyre nga Moska i ka bërë jehonë deri vonë diskurit të Putinit. Lufta në Ukrainë ka ndryshuar e po ndryshon shumë gjera edhe në rrafshin e qasjeve sovraniste të partive homonime në Evropë. Në një anë sovranizmi i tyre ka qenë dhe mbetet një rivendikim ndaj pushtetit të madh të Brukselit ndaj vendeve anëtare, sipas tyre. Në një anë më pak të artikuluar, apo edhe të fshehtë, ka qenë një shprehje e antiamerikanizmit. Kjo e fundit ka ndryshuar. Partitë e djathta në Evropë, qoftë të grupit të madh të partive Popullore, qoftë konservatoret klasike, qoftë konservatorët reformiste janë në një gjatësi vale me qëndrimet e SHBA, të lumtura që bashkimi i madh i vendeve demokratike udhëhiqet prej tyre pa kërkuar asgjë në shkëmbim veç mbrojtjes së demokracisë dhe paqes. Rusia e Putinit sheh ti ketë shkuar dëm me sa duket investimi dhe fara diversionit që ka hedhur prej vitesh në Evropë. Duket sikur tani Moska ka dëshirë ti vërë në pozitë të vështirë “ tradhtarët” e saj duke folur për sovranizmin siç kanë folur ata para luftës.

Në vendin tonë të vogël diskuri i sovranizmit që ka zhvilluar Sali Berisha me grupin e tij të Rithemelimit të PD-së, por edhe Ilir Meta nga pozitat e Presidentit të Republikës, ka patur e ka nevojë të sqarohet. Nëse është akoma në agjendën e tyre. Ne nuk jemi akoma në BE që të kemi parti sovraniste që ankohen pse Brukseli ka me shumë fuqi se sa duhet ndaj Tiranës. Për çfarë sovranizmi është fjala atëherë? Kundër hyrjes në BE? Kundër NATO-s? Kundër SHBA-ve? /Liberale.al/

Në trend

Më shumë
PDK voton kryesinë e re të partisë - pësojnë ndryshime në pozita disa prej figurave të njohura të kësaj partie

PDK voton kryesinë e re të partisë - pësojnë ndryshime në pozita disa prej figurave të njohura të kësaj partie

Lajme
“Ka pak Kosovë brenda meje, ndihem danez”, talenti që po mahnit Danimarkën nuk i konsideron Dardanët

“Ka pak Kosovë brenda meje, ndihem danez”, talenti që po mahnit Danimarkën nuk i konsideron Dardanët

Përfaqësuesja e Kosovës
Katër votat kundër Kosovës në Këshillin e Evropës dhe një abstenim, gjithçka që duhet të dini

Katër votat kundër Kosovës në Këshillin e Evropës dhe një abstenim, gjithçka që duhet të dini

Muhamet Hajrullahu
Pakënaqësi me Ligjin e pagave, Jasharaj paralajmëron protestë më 1 maj - nuk e përjashton mundësinë e grevës

Pakënaqësi me Ligjin e pagave, Jasharaj paralajmëron protestë më 1 maj - nuk e përjashton mundësinë e grevës

Elfije Boletini
Pamje nga të shtënat ku nisi konflikti në Prishtinë, ku humbën jetën dy persona

Pamje nga të shtënat ku nisi konflikti në Prishtinë, ku humbën jetën dy persona

Kronika e Zezë
Nga 3 prilli gjoba të larta për shkelësit e rregullave në trafik - këto janë ndryshimet me Ligjin e ri

Nga 3 prilli gjoba të larta për shkelësit e rregullave në trafik - këto janë ndryshimet me Ligjin e ri

Lajme
Kalo në kategori