LAJMI I FUNDIT:

Janë vetëm tri shtete të cilëve Britania mund t’u besojë

Janë vetëm tri shtete të cilëve Britania mund t’u besojë
Orkestra ushtarake kanadeze pret për të interpretuar himnin kombëtar gjatë një Panairi Mbretëror që shënon kurorëzimin e Mbretit Charles III. Kanadaja, Australia, Britania dhe Zelanda e Re kanë të njëjtin mbret (foto: NurPhoto).

Nga: Daniel Hannan / The Daily Telegraph
Përkthimi: Telegrafi.com

Disa orë pas shpalljes së luftës nga Britania më 3 shtator 1939, Michael Joseph Savage, kryeministri i parë laburist i Zelandës së Re, bëri një deklaratë nga shtrati i tij spitalor (ai vdiq shtatë muaj më vonë).

“Me mirënjohje për të kaluarën dhe po ashtu me besimin për të ardhmen, ne qëndrojmë pa frikë përkrah Britanisë. Aty ku ajo shkon, shkojmë edhe ne. Aty ku ajo qëndron, qëndrojmë edhe ne.”


Me sa kombe kemi një lidhje të tillë, një aleancë kaq instinktive dhe automatike sa që nuk ka nevojë për shpjegim? Lista është e shkurtër, por me siguri përfshin tri vende me të cilat kemi vërtet një marrëdhënie të veçantë: Australia, Kanada dhe Zelanda e Re.

Ne jemi të lidhur nga gjuha, kultura dhe lidhjet familjare. Ndajmë të njëjtin sistem ligjor, duke u mbështetur në precedentët e njëri-tjetrit. Kemi forma të ngjashme parlamentare, me të gjitha detajet: skeptër, protokoll, sistem e gjithçka tjetër. Nderojmë të njëjtin mbret.

Fushata moderne për të bashkuar më ngushtë katër mbretëritë kryesore, nisi në Kolumbian Britanike në vitin 2015 dhe njihet me akronimin CANZUK – një term i krijuar fillimisht nga zyrtarët e OKB-së sepse këto katër kombe pothuajse gjithmonë votonin në bllok.

Mbështetësit e CANZUK-ut kërkojnë bashkëpunim më të ngushtë diplomatik dhe të mbrojtjes, të drejtën automatike për të punuar në vendet e njëri-tjetrit dhe një treg të përbashkët të bazuar në njohjen reciproke të standardeve për mallrat, shërbimet dhe kualifikimet profesionale.

Për një dekadë, CANZUK-u u trajtua nga politikanët si një ide e vlefshme, por jo urgjente. Pastaj erdhi mandati i dytë i Trumpit, luftërat tregtare dhe përmbysja e politikës së jashtme të ShBA-së. Të dyja partitë kryesore kanadeze janë të prira ndaj marrëveshjes të tipit CANZUK, ashtu si edhe të tri partitë e koalicionit në Zelandën e Re. Edhe në Britani, kjo ide po fiton popullaritet. Dhe, nuk është e vështirë të kuptosh pse.

Për të kuptuar se sa shumë ka ndryshuar bota, provojeni këtë eksperiment mendor: supozoni se Donald Trumpi po punon fshehurazi për Vladimir Putinin. Çfarë do të bënte më ndryshe?

Një gjë është ndalimi i dërgesave të armëve për Ukrainën, përfshirë ato që ishin tashmë në transit, dhe ndërprerja e shkëmbimit të informatave të inteligjencës. Por, Trumpi po shkon shumë përtej këtyre masave. Ai ka përsëritur pretendimet propagandistike të Putinit, duke e quajtur Volodymyr Zelenskyn një diktator dhe duke e akuzuar atë për fillimin e luftës. Ai ka urdhëruar agjencinë e tij të sigurisë kibernetike që të mos e trajtojë më si përparësi kërcënimin nga Rusia. Ai ka larguar gjeneralët amerikanë pro-ukrainas nga komandat që kishin. Ai ka votuar në OKB, së bashku me Rusinë, Bjellorusinë dhe Korenë e Veriut, kundër një rezolute që dënonte pushtimin e Ukrainës, një rezolutë nga e cila madje Kina abstenoi.

Më e rënda nga të gjitha, ai ka provokuar konflikte me vendet e NATO-s, ka kërcënuar të aneksojë Grenlandën dhe ka shpallur luftë ekonomike kundër Kanadasë.

Udhëheqësit e demokracive të tjera të botës anglofone janë lënë të braktisur, si guvernatorët e provincave të largëta romake kur Qyteti i Përjetshëm u shkatërrua. Merrni parasysh, të paktën, ndikimin në prokurimin e mbrojtjes së Britanisë.

Që nga vitet ’50 të shekullit XX, kemi supozuar se, në një luftë të madhe, do të luftonim përkrah aleatëve tanë amerikanë. Po, mund të përballonim luftëra më të vogla, të vetëm: Adenin, Ishujt Folkland, Sierra Leonen. Por, nëse gjërat do të përshkallëzoheshin seriozisht, do të ishim pjesë e një koalicioni të udhëhequr nga ShBA-ja.

Si aleatët e tjerë perëndimorë, kemi zgjedhur të specializohemi në fusha të caktuara, në vend që të zhvillonim një kapacitet të plotë mbrojtës. Jemi mbështetur te ShBA-ja për transportin e rëndë, satelitët e avancuar dhe inteligjencën. Mbi të gjitha, kemi qenë të varur prej saj për zhvillimin dhe mirëmbajtjen e raketave tona bërthamore.

Sistemi ynë aktual i parandalimit bërthamor, Trident II, do të zgjasë deri në vitin 2040. Dhe, pastaj? A mund të jemi të sigurt se ShBA-ja do të mbetet një aleat i besueshëm? Mendoj se ka shumë gjasa; por, pas dy muajve të fundit, nuk mund të jem më plotësisht i sigurt.

Po Evropa? Përsëri, më pëlqen të besoj se do të jemi ende në të njëjtën anë – në anën e lirisë dhe demokracisë – por, nuk ka shumë kohë që BE-ja planifikoi të mbyllte kufirin irlandez nga inati, vetëm sepse programi ynë i vaksinimit ishte më i shpejtë se i tyre.

Në prag të Brexit-it, Jeremy Hunt, si sekretar i Jashtëm, mbeti i habitur kur kuptoi se investimi i Britanisë në mbrojtjen e Evropës – regjimente të blinduara në Estoni dhe Poloni, RAF-i që praktikisht vepronte si forca ajrore e Rumanisë dhe në shumë të tjera – nuk kishte gjeneruar asnjë dobi të prekshme. Edhe tani, kur mund të mendonim se BE-ja do të bënte gjithçka për të afruar Britaninë në një marrëveshje më të ngushtë mbrojtjeje, ajo vazhdon të këmbëngulë se nuk do të flasë për asgjë tjetër me ne, derisa t’i lejojmë anijet e saj të peshkojnë në ujërat tona.

Jo, ekziston vetëm një grup shtetesh me të cilat është e paimagjinueshme që të kemi një përçarje brenda 40 viteve të ardhshme: vendet e tjera të CANZUK-ut. Kjo ka rëndësi, ndër të tjera, sepse së shpejti duhet të marrim vendime për parandaluesin tonë bërthamor të gjeneratës së ardhshme.

Nëse vendosim të ndërtojmë një kapacitet bërthamor plotësisht autonom – një që nuk varet nga ShBA-ja për magazinimin ose pjesët rezervë, si ai i Francës – atëherë do të na nevojitet kapaciteti ynë për prodhimin e raketave. Kjo do të kushtojë rreth dy herë më shumë sesa blerja e një alternative të gatshme nga ShBA-ja. Të vetëm, nuk do të mund ta përballonim; por si pjesë e një konsorciumi CANZUK, mund ta realizonim.

CANZUK ka rezultuar vazhdimisht në sondazhe me rreth dy të tretat e mbështetjes në të katër vendet e mundshme anëtare, duke e bërë atë politikën më të njohur që qeveritë mund të zbatojnë, por ende nuk e kanë bërë.

Pse nuk e kanë bërë? Pjesërisht sepse, deri vonë, entuziazmi vinte kryesisht nga partitë e djathta: Konservatorët në Mbretërinë e Bashkuar dhe Kanada, liberalët në Australi dhe tri partitë e djathta në Zelandën e Re (Partia Kombëtare, Zelanda e Re në Vend të Parë dhe ACT).

Disa të majtë e kundërshtuan në mënyrë refleksive çdo gjë që dukej si nostalgji perandorake ose, edhe më keq, një mall për të ashtuquajturin Komonuelthi i Bardhë (megjithëse, në realitet, të katër vendet kanë përqindje më të larta të popullsive jo të bardha sesa BE-ja). Në Britani, nostalgjikët e BE-së u ndjenë të fyer kur panë mbështetësit e largimit duke propozuar lëvizjen e lirë me vende të largëta, me argumentin se britanikët mund të imagjinonin më lehtë veten duke punuar në Australi apo Kanada sesa në Finlandë apo Sllovaki.

Por, e gjithë kjo ishte përpara se Trumpi të fillonte të kërcënonte Kanadanë me aneksim – dhe, në fakt, të përplasej edhe me aleatë të tjerë të ShBA-së. Kur Australia nënshkroi marrëveshjen e saj tregtare me ShBA-në në vitin 2005, ajo përjashtoi specifikisht eksportet e saj të çelikut nga çdo tarifë e vendosur në emër të sigurisë kombëtare. Trump i ka imponuar, gjithsesi.

Befas, CANZUK-u po fillon të duket si diçka e pashmangshme dhe urgjente. Në debatin e fundit për lidershipin e liberalëve në Kanada, kandidatët po konkurronin mes vete për të kërkuar lidhje më të ngushta ekonomike me monarkitë e tjera të mëdha anglishtfolëse – edhe pse debati ishte në gjuhën frënge.

Kur e sugjerova CANZUK-un në Dhomën e Lordëve këtë javë, ministrja me këmbë në tokë, Baronesha Chapman, u përgjigj se qeveria do të dëgjonte me simpati çdo propozim.

Nga parimet bazë, nuk preferoj një pakt CANZUK mbi një tjetër të udhëhequr nga ShBA-ja. Do të preferoja të mbajmë Marrëveshjen e Mbrojtjes së Ndërsjellë ShBA-Mbretëria e Bashkuar, NATO-n, AUKUS-in dhe gjithë arkitektura që kemi ndërtuar që nga Karta Atlantike e vitit 1941. Më gëzon fakti që Zelanda e Re, nën ministren e saj mbresëlënëse të Mbrojtjes, Judith Collins, po rreshtohet me AUKUS-in.

Nëse aleanca me ShBA-në mund të shpëtohet, CANZUK-u do ta plotësojë atë. Por, nëse jo, do të jetë alternativë solide, duke përbërë, në thelb, forcën e tretë më të fuqishme ushtarake në planet.

Sa shpejt mund ta vëmë në jetë? Epo, në tetor të vitit të ardhshëm është 100-vjetori i Konferencës Perandorake të vitit 1926, e cila nisi transformimin formal të Perandorisë Britanike në një bashkim vullnetar, në Komonuelth.

Ashtu siç Mbreti George V priti kryeministrat e tij në atë rast, po ashtu edhe stërnipi i tij, Mbreti Charles III, duhet të ftojë kryeministrat e katër mbretërive kryesore të tij – të cilët deri atëherë, me pak fat, mund të përfshijnë Peter Duttonin në Australi dhe Pierre Poilievrein në Kanada, si dhe Christopher Luxonin në Zelandën e Re. Në atë takim, duhet të shpallet krijimi formal i një sekretariati CANZUK, i cili, për arsye të ndryshimit të orareve, duhet të vendoset në Vankuver dhe të ketë si detyrë garantimin e lëvizjes së lirë të punës, reciprocitetit të tregjeve dhe një mbrojtjeje të përbashkët mes katër kombeve të afërta.

Kjo do t’i siguronte çdo kryeministri pjesëmarrës një shtytje të madhe elektorale. Dhe, e dini çfarë? Nëse Sir Keir Starmer arrin ta realizojë këtë, do ta meritojë elektoratin. /Telegrafi/

Në trend

Më shumë
Muhaxheri dorëzon mandatin, kush pritet ta zë vendin e tij si deputet i ardhshëm i LDK-së?

Muhaxheri dorëzon mandatin, kush pritet ta zë vendin e tij si deputet i ardhshëm i LDK-së?

Lajme
Nga grabitja e armatosur në Prishtinë, dërgohet në emergjencë edhe i plagosuri i dytë, Syla: Gjendja e tij shëndetësore është e rëndë

Nga grabitja e armatosur në Prishtinë, dërgohet në emergjencë edhe i plagosuri i dytë, Syla: Gjendja e tij shëndetësore është e rëndë

Lajme
Gruaja e këngëtarit që humbi jetën në diskotekën e Koçanit: Shteti ka qenë jo-human ndaj meje gjatë ditës së djeshme dhe nuk është e vërtetë se bendi i solli fishekzjarret

Gruaja e këngëtarit që humbi jetën në diskotekën e Koçanit: Shteti ka qenë jo-human ndaj meje gjatë ditës së djeshme dhe nuk është e vërtetë se bendi i solli fishekzjarret

Kronikë e Zezë
Grabitja e armatosur në Prishtinë ku u plagos një person, deklarohen nga Prokuroria

Grabitja e armatosur në Prishtinë ku u plagos një person, deklarohen nga Prokuroria

Lajme
Tensionohet protesta në Koçan, protestuesit të revoltuar gjuajnë me vezë në drejtim të godinës së Komunës

Tensionohet protesta në Koçan, protestuesit të revoltuar gjuajnë me vezë në drejtim të godinës së Komunës

Lajme
Thahet liqeni i Vërmicës, dalin në pah piramidat ndarëse dhe pika e kufirit që ndau shqiptarët

Thahet liqeni i Vërmicës, dalin në pah piramidat ndarëse dhe pika e kufirit që ndau shqiptarët

Lajme
Kalo në kategori