LAJMI I FUNDIT:

Janari sjell përsëri Konferencën Ndërkombëtare për Siguri Kibernetike dhe Privatësi

Janari sjell përsëri Konferencën Ndërkombëtare për Siguri Kibernetike dhe Privatësi

Komuniteti Cyber Security and Privacy në bashkëpunim me kompaninë lidere “IPKO”, në Janar risjell në Prishtinë ekspertët më me zë nga e gjithë bota, nga fusha e teknologjisë së informacionit, përkatësisht Sigurisë Kibernetike dhe Privatësisë.

Vit mbas viti, në Janar Konferenca “Cyber Security and Privacy” bën bashkë akterë të rëndësishëm shtetëror dhe liderë të kompanive të mëdha europiane dhe botërore të cilët adresojnë problematikat që lidhen me sigurinë online dhe që padyshim synimin kryesor e kanë ndërgjegjësimin shoqëror mbi privatësinë online.


Konferenca e ndarë edhe sivjet në panele diskutimi do të sjellë risi nga fusha e privatësisë online dhe përdorimit të sigurt të internetit.

Dhe jo vetëm kaq, këtu do t’i gjeni edhe rekomandimet për marrjen e masave të sigurisë që reflektojnë drejtpërdrejtë në sigurinë tuaj më të madhe në internet.

Organe publike dhe private, institucione të larta të sigurisë nga pushteti lokal dhe qendror, ndajnë përvojat e tyre, kompani prestigjioze si PECB, ETSI, FACEBOOK, GOOGLE, MICROSFT, Cripto AG, UTIMACO, IPS,CYBERNETIKA, SOPHOS, FORTINET, RSA, do të shpalosin sfidat dhe zgjidhjet më të mira në fushën e sigurisë kibernetike.

Djemtë me plisa të bardhë do t’i kemi edhe sivjet përkrah Konferencës.

Aktiviteti “The Day When Hackig is Legal” zhvillohet paralel me debatet në panele. Tashmë plisat e bardhë nuk i bartin vete hakerë vendorë por edhe ndërkombëtarë, ngase aktiviteti ka bërë për vete një numër të madh pasionantësh nga kjo fushë,të cilët përgjatë 8 orëve do të testojnë uebfaqet e institucioneve të ndryshme për të parë dobësitë e tyre sa i përket sigurisë online.

Përderisa vitin e kaluar në një panel diskutimi kemi pasur fytyra të njohura të botës së showbiznesit, aktorë, këngëtarë, shou men, këtë herë jemi fokusuar tek Bota e Medias dhe kemi vendosur të sjellim peripecitë e tyre në menaxhimin e sigurisë së të dhënave dhe një debat mbi temën “Privatësia dhe e Drejta e Medias”.

Padyshim që Konferenca përgjatë ditëve sa i zhvillon punimet e saj do të sjellë edhe risi të tjera, për të cilat do të njoftoheni ditë mbas dite.

Vetëdijesimi i bizneseve dhe institucioneve për nivelin e sigurisë që bartin uebfaqet e tyre është ndër objektivat tonë kryesorë por edhe ju të tjerët, mos harroni, rreziku në internet po rritet çdo ditë, por edhe aktiviteti ynë për tu njohur në çdo moment me më të rejat nga fusha e mbrojtjes së të dhënave tuaja po bëhet çdo ditë më i fuqishëm.

Se shpejti do t’i merrni informatat më të reja sa i përket emrave pjesëmarrës, panelistëve kryesorë dhe mundësisë që edhe ju të bëheni pjesë e objektivit tonë për internet të sigurt.