LAJMI I FUNDIT:

Jahjaga: Hyrja ime në Serbi u pamundësua me një arsyetim absurd

Jahjaga: Hyrja ime në Serbi u pamundësua me një arsyetim absurd

Ish-presidentja e vendit, Atifete Jahjaga ka folur të premten për ndalimin e vizitës së saj në Beograd. Ajo tha se hyrja e saj në Serbi u pamundësua me një arsyetim absurd.

Jahjaga në një postim në rrjetin social Facebook bëri të ditur se përgatitjet për vizitën janë bërë në përputhje me Marrëveshjen e Brukselit për vizita të zyrtarëve të lartë, por sipas saj zyrtarët e Serbisë po e vazhdojnë politikën e viteve të 90-ta.


Lexoni të plotë postimin e Jahjagës në Facebook:

“Unë sot do të duhej të isha në Beograd për promovim të librit ‘Unë dua të dëgjohem’ në kuadër të festivalit ‘Mirëdita, dobar dan!’, ku u ftova të mbaj fjalim për viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë.

Hyrja ime në shtetin e Serbisë u pamundësua me një arsyetim absurd.

Përgatitjet për vizitën janë bërë në përputhje me Marrëveshjen e Brukselit për vizita të zyrtarëve të lartë.

Autoritetet e Kosovës i kanë njoftuar me kohë dhe me përpikëri autoritetet e Serbisë, siç është e paraparë me marrëveshje, por zyrtarët në Beograd kanë dështuar t’i përmbahen kësaj marrëveshjeje, duke e shkelur atë me qëllim që të ndalojnë vizitën time.

Zyra ime dhe organizatorët e festivalit janë në komunikim të vazhdueshëm për të siguruar pjesëmarrjen time në këtë festival, me bindjen se pranimi i së vërtetës mbi krimet e luftës në Kosovë është e vetmja mënyrë që shoqëritë e dy vendeve të ecin përpara.

Unë nuk kam iluzione që zyrtarët e sotëm të Serbisë do ta ndryshojnë qasjen ndaj Kosovës, sepse ata po e vazhdojnë politikën e viteve të 90-a kur kanë qenë edhe protagonistë.

Por dua të shpreh respektin tim për organizatorët e festivalit, një grup të rinjve dhe aktivistëve që nuk do të lejojnë që e ardhmja e tyre dhe e tërë rajonit të mbahet peng nga këta udhëheqës që duan ta fshehin të vërtetën. E vërteta nuk njeh kufij”. /Telegrafi/