Në telegram e Jahjagës thuhet “Mora me pikëllim lajmin për vdekjen e Vahide Hoxha, veterane e Luftës Antifashiste, pedagoge dhe veprimtare e dalluar, vdekja e së cilës ka lënë zbrazëtirë në familjen tuaj dhe në gjithë shoqërinë kosovare. Aktivitetet dhe angazhimet e zonjës Hoxha kanë lënë gjurmë të pashlyeshme në të gjitha fushat e punës së saj. Shpirtërisht dhe me lutje jemi me ju në këto çaste pikëllimi”.

Ndërsa, edhe kryeministri i vendit, Hashim Thaçi ngushëlloi familjen Hoxha, me rastin e vdekjes së veprimtares Vahide Hoxha.


“Me pikëllim morëm lajmin për ndarjen nga jeta të pedagoges, veprimtares dhe veteranes së Luftës Antifashiste, Vahide Hoxha. Vdekja e veteranes Hoxha është humbje për familjen Tuaj dhe shoqërinë e Kosovës. Në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe në emrin tim, Ju shpreh ngushëllimet më të sinqerta”, thuhet në telegramin e ngushëllimit.

Vahide Hoxha vdiq të premten në moshën 86 vjeçare. Ajo ishte kryetare e Shoqatës së Veteranëve të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare të Kosovës dhe bashkëshorte e ish-udhëheqësit komunist, Fadil Hoxhës. /Telegrafi/