Irani këmbëngul se aktivitetet bërthamore janë plotësisht paqësore dhe të orientuara për përdorim civil, por Izraeli pretendon se mashtrimet e mëparshme nga Irani tregojnë se përgjigjja ushtarake është e vetmja mënyrë për të ndaluar Teheranin të zhvillojë një bombë bërthamore.
Të mërkurën në mbrëmje, SHBA urdhëroi evakuimin e stafit jo thelbësor të ambasadave dhe familjeve të tyre nga disa vende në Lindjen e Mesme, pasi tensionet në rajon vazhdojnë të rriten.
Ky vendim vjen mes një ngërçi të dukshëm në bisedimet SHBA-Iran për programin bërthamor, me presidentin amerikan, Donald Trump që deklaroi se ishte “pak i sigurt” se të dyja vendet do të arrinin një marrëveshje për të frenuar ambiciet bërthamore të Teheranit.
Departamenti i Shtetit të SHBA-së njoftoi se do të evakuojë pjesërisht personelin nga ambasada amerikane në Bagdad për të “mbajtur amerikanët të sigurt, si në vend ashtu edhe jashtë”, transmeton Telegrafi.
Ky veprim vjen pasi zyrtarë amerikanë i thanë rrjetit televiziv, CBS se Izraeli është i gatshëm të nisë një operacion ushtarak ndaj Iranit, dhe se pozicionet ushtarake amerikane në Irakun fqinj mund të jenë objektiv i hakmarrjes iraniane.
Por, ajo që ndodh aktualisht: është vetëm një manovër nga Irani për të mbrojtur programin bërthamor, apo është rajoni përballë një skenari goditjeje të papritur ushtarake që mund të ndezë një luftë të gjerë rajonale?
Euronews hedh një vështrim mbi kompleksitetin e situatës dhe pasojat e mundshme në disa fronte të ndryshme: nga Gaza te Deti i Kuq, nga Libani në Siri.
Izraeli ka paralajmëruar prej kohësh se programi bërthamor i Iranit nuk është i natyrës paqësore dhe se, nëse Irani zhvillon armë bërthamore, Izraeli mund të bëhet objektiv i një sulmi bërthamor.
Megjithatë, lideri amerikan i dha një paralajmërim të drejtpërdrejtë kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu që të mos godasë Iranin, duke thënë se veprimet ushtarake të njëanshme janë të papranueshme dhe diplomacisë duhet t’i jepet një shans.
Nga ana tjetër, disa kritikë të Netanyahut e shohin përshkallëzimin ushtarak ndaj Iranit si një mënyrë për të siguruar të ardhmen e tij politike, duke e krahasuar me ndikimin që kanë pasur frontet që ai ka hapur në Liban dhe Siri.
A do ta përthithë Irani goditjen apo do të hakmerret?
Çdo luftë me Iranin nuk do të vinte pa një kosto të konsiderueshme për Shtetet e Bashkuara. Bazat amerikane në Irak, Kuvajt, Katar, Bahrejn dhe Emiratet e Bashkuara Arabe do të ishin të gjitha të ekspozuara ndaj sulmeve me raketa iraniane në rast konflikti.
Komandanti i Gardës Revolucionare të Iranit, Hossein Salami, deklaroi pa ekuivok se “ne monitorojmë thellësinë e objektivave të armikut dhe jemi të përgatitur për çdo skenar”.
Ministri iranian i Mbrojtjes, Aziz Nasserzadeh, gjithashtu paralajmëroi se çdo sulm nuk do të mbetej pa përgjigje, duke u zotuar të bombardojë bazat amerikane në rajon.
Por, mbetet për t’u parë nëse këto janë thjesht deklarata retorike apo nëse Irani do t’i çojë kërcënimet deri në fund. Po ashtu, është e diskutueshme nëse Shtetet e Bashkuara do të dëshironin të futeshin sërish në një konflikt të zgjatur në Lindjen e Mesme, aq shpejt pas tërheqjes së trupave të fundit nga Iraku pas gati tetë vjetësh prezencë atje.
Prania e Flotës së Gjashtë të Marinës Amerikane në Mesdhe ngre gjithashtu pyetje për rolin e saj në rast lufte. Në një kohë kur kërcënimet po shtohen, dislokimi i kësaj flote duket se rrit aftësinë e Uashingtonit për të vepruar me shpejtësi, por gjithashtu e bën atë një objektiv të drejtpërdrejtë për çdo reagim iranian.
Në mesin e gjithë kësaj përballjeje dhe tensioni rajonal, palestinezët në Rripin e Gazës kanë frikë se çështja e tyre mund të lihet në harresë.
Kjo situatë mund ta kthejë Gazën në një “çështje të harruar” në rast të një përplasjeje të madhe rajonale, me të gjitha pasojat humanitare që kjo do të sillte.
Po Houthit dhe Hezbollahu?
Houthit e mbështetur nga Irani në Jemen, të cilët kanë shprehur mbështetje për Gazën që nga fillimi i luftës në tetor të vitit 2023 duke sulmuar anije që ata besonin se ishin të lidhura me Izraelin në Detin e Kuq, kohët e fundit arritën një marrëveshje me Uashingtonin për të ndalur sulmet ndaj anijeve tregtare.
Megjithatë, ekziston një mundësi reale që nëse Irani do të sulmohej dhe do të kundërpërgjigjej me sulme, kjo marrëveshje të harrohej dhe Houthit të riaramatoseshin dhe të rifillonin luftimet në mbështetje të mbështetësit të tyre financiar kryesor.
Një përshkallëzim tjetër në dhe përreth rrugëve kryesore tregtare të Detit të Kuq rrezikon sërish të rrisë çmimet e mallrave dhe të naftës dhe të ndërpresë qarkullimin e mallrave mes vendeve.
Një tjetër çështje delikate është Libani.
Megjithëse, Izraeli arriti një marrëveshje armëpushimi me grupin militant, Hezbollah me bazë në Liban në nëntor të vitit të kaluar, sulmet izraelite në Liban nuk kanë pushuar realisht, me ushtrinë izraelite (IDF) që dyshohet se ka sulmuar anëtarë dhe objekte të Hezbollahut.
Deri më tani, Hezbollahu ka qëndruar në heshtje përballë tensioneve në rritje, por, njësoj si Houthit, financuesi i tyre kryesor mbetet Irani.
Pritshmëria është që Hezbollahu do të ndërmarrë sulme ndaj Izraelit, dhe ndonëse grupi është dobësuar ushtarakisht pas një viti përplasjesh të përditshme me armë me Izraelin përgjatë kufirit, sinjalet janë se Hezbollahu ruan ende kapacitet të konsiderueshëm sulmues, i cili mund të shndërrohet në presion të fortë mbi frontin verior të Izraelit.
Ku qëndrojnë Iraku dhe Siria?
Iraku ndodhet në një pikë shumë të ndjeshme. Fraksionet e armatosura besnike ndaj Teheranit, të udhëhequra nga Brigadat e Hezbollahut të Irakut, mbajnë gatishmërinë e tyre në pritje të çdo zhvillimi ushtarak kundër Iranit, duke ngritur pyetje urgjente nëse këto fraksione do të jenë në vijën e parë të sulmeve ndaj bazave amerikane apo interesave të lidhura me Izraelin nga territori irakian.
Megjithatë, sfida më e madhe përballë Bagdadit nuk është vetëm qëndrimi ndaj një krize të mundshme, por si të ruajë një ekuilibër mes shmangies së një përplasjeje shkatërrimtare dhe mbajtjes së një stabiliteti të brishtë të sigurisë.
Raportet e sigurisë tregojnë frikë serioze se grupi terrorist i ashtuquajtur Shteti Islamik (ISIS) mund të rikthehet, duke shfrytëzuar ndonjë konflikt rajonal dhe vakumin e mundshëm të sigurisë.
Në këtë kontekst, Iraku rrezikon të përfshihet në një konflikt në të cilin nuk është palë, por që mund të gjendet papritur në qendër të një beteje përtej kapacitetit për ta përballuar apo kontrolluar.
Që nga marrja e pushtetit nga presidenti i përkohshëm, Ahmad al-Sharaa, Siria ka shfaqur një ndryshim gradual në qasjen e saj ndaj marrëdhënieve rajonale dhe ndërkombëtare, me një hapje ndaj Perëndimit dhe shenja të një afrimi të paprecedentë me Izraelin.
Ky ndryshim, ndonëse ende në proces formimi, ngre një pyetje thelbësore. Në dritën e këtyre marrëveshjeve të reja, a mund të shndërrohet territori sirian në një korridor ose platformë për operacione ushtarake në rast konflikti?
Nga ana tjetër, ky skenar nuk është pa sfida të brendshme. Mbetjet e regjimit të mëparshëm mund të përpiqen të përfitojnë nga situata për të rikthyer ndikimin e tyre, ndërsa kërcënimi i rinovuar nga ISIS paraqet një rrezik real për stabilitetin.
Sa i përket al-Sharaa, ai përballet me një provë vendimtare – nëse shpërthen një luftë rajonale, a do të qëndrojë në anë si spektator, apo do të përpiqet të pozicionohet në këtë ekuacion kompleks rajonal duke zgjedhur një aleancë?
Një aleancë me Iranin duket e pamundur në dritën e kursit të ri politik, ashtu siç duket e pamundur edhe një rreshtim kundër Izraelit.
Mes këtyre dy “pamundësive”, rajoni pret të shohë se si do të pozicionohet Damasku në fazën e ardhshme.
Fituesit dhe humbësit
Çdo sulm ushtarak ndaj Iranit nuk do të jetë një operacion i shpejtë apo i lehtë, por një hap i mbushur me komplikime të mëdha strategjike dhe sigurie.
Shpërthimi i një përplasjeje do të nënkuptonte zgjerimin e saj në shumë fronte, shqetësime të gjera në balancat rajonale dhe ekspozimin e interesave jetike në Lindjen e Mesme ndaj goditjeve të dhimbshme.
Nga ana izraelite, Netanyahu mund ta shohë këtë betejë si një mundësi për t’u larguar nga krizat e brendshme politike dhe gjyqësore – ai përballet me akuza në tre çështje të ndryshme korrupsioni – dhe për të arritur fitime personale në kurriz të stabilitetit rajonal.
Sa i përket SHBA-së, pavarësisht fuqisë së madhe ushtarake, ajo po përballet me një moment vendimtar, mes adoptimit të një politike të qëllimshme të frikësimit ose tërheqjes në një konflikt të hapur që mund t’i kushtojë shumë, sidomos në dritën e dislokimit të bazave të saja ushtarake në rajonin përreth Iranit.
Irani, i lodhur tashmë nga sanksionet perëndimore dhe presionet ekonomike të grumbulluara, do të jetë i pari që do të preket nga çdo luftë, e cila rrezikon të shpërthejë situatën e brendshme dhe të zgjerojë rrethin e zemërimit popullor në një kohë kur udhëheqja e vendit përballet me një test të dyfishtë; ruajtjen e kohezionit të brendshëm dhe përgjigjen ndaj kërcënimeve të jashtme. /Telegrafi/
Promo
Reklamo këtuLufta Prigozhin - Putin
Më shumë
Trump vendos tarifa ndaj BE-së, katër shtete kërkojnë kundërmasa dhe negociata

DASH konfirmon vrasjen e shtetasit amerikan në Bregun Perëndimor

Arrestohet miliarderi francez

Arrihet marrëveshja historike, Franca bie dakord për krijimin e shtetit "Kaledonia e Re"

Duhet të presim deri ditën e hënë - Trump paralajmëron "mesazh të fuqishëm" kundër Putinit

Aktivisti palestinez ngre padi prej 20 milionë dollarësh kundër administratës Trump

Shitet shtëpia me sipërfaqe prej 360 m² në lagjen Pejton në Prishtinë

104.5m² komfort – Banesë luksoze me pamje tërheqëse për zyret e juaja

Investoni në të ardhmen tuaj – bli banesë në ‘Arbëri’ tani! ID-140

Shitet banesa në Fushë Kosovë në një vendodhje perfekte – 80.5m², çmimi 62,000Euro! ID-254

Ideale për zyre – në qendër të Prishtinës lëshohet banesa me qira ID-253

Partnerë në elegancë: Telegrafi dhe Melodia Px ofrojnë 4 kravata Pierre Cavelli për vetëm 19.95 euro!

Kompletohu dhe shkëlqe në mbrëmjen e maturës me marrëveshjen mes Telegrafit dhe Melodia PX!

Për vetëm 29.95€ me Telegrafi Deals dhe Melodia PX, këto patika bëhen tuajat!

Marrëveshje: Melodia Px dhe Telegrafi Deals janë dakordu që atletet Nike për femra ti ofrojnë për vetëm 69.95€, deri më 09 mars!

A do të shihemi në Balkan eCommerce Summit 2025?
Më të lexuarat

Pas aktgjykimit të Kushtetueses, reagon Vetëvendosje

Trump po planifikon marrëveshje 30 miliardë dollarëshe për një program bërthamor me Iranin?

Viktimë e shantazhit seksual online, rrëfimi i 48-vjeçarit: Më kërkuan para për të mos publikuar video intime

A ju kujtohet 'stadiumi fantazmë' që kishte filluar të ndërtohej para 15 vitesh? Shikoni çfarë po i ndodh sot

Stuhi të fuqishme me breshër godasin Tirolin e Austrisë, raportohet për dëme të shumta materiale

Ky është interpretimi i Kushtetueses për votim të hapur apo të fshehtë