Marina Izraelite ka kapur të fundit nga 42 anijet që u përpoqën të thyenin bllokadën detare të Gazës si pjesë e Flotiljes Globale "Sumud", dhe Ministria e Punëve të Jashtme izraelite njoftoi se katër aktivistë nga një total prej 470 të ndaluarish që u përpoqën të dërgonin drejtpërdrejt ndihmë simbolike humanitare në enklavën e shkatërruar nga lufta janë deportuar deri më tani.

"Procedurat janë duke u zhvilluar për t'i dhënë fund provokimit Hamas-Sumud dhe për të finalizuar deportimin e pjesëmarrësve", tha ministria.


"Katër shtetas italianë janë deportuar tashmë. Pjesa tjetër është në proces të deportimit."

"Izraeli është i etur që ky proces të përfundojë sa më shpejt të jetë e mundur", shtoi ministria.



Ministria publikoi gjithashtu foto të aktivistes suedeze Greta Thunberg dhe aktivistëve të tjerë që u ndaluan pasi mbërritën në Izrael të enjten në mbrëmje.

"Të gjithë janë gjallë dhe mirë", tha ajo.



Ndërhyrja e flotiljes erdhi pasi organizatorët refuzuan thirrjet për t'ia dorëzuar ndihmën që po transportonin Izraelit ose organizatave ndërkombëtare për ta dërguar në Gaza dhe për ta shpërndarë.

Në vend të kësaj, ata premtuan të vazhdonin drejt Gazës.

Siç raportohet, një flotilje e re po lëviz tani drejt Gazës, duke njoftuar se do të përpiqet gjithashtu të thyejë bllokadën. /Telegrafi/