LAJMI I FUNDIT:

Ivanov kërkon ndihmë nga BE, NATO, SHBA dhe Erdogan që të hidhet poshtë Deklarata shqiptare

Ivanov kërkon ndihmë nga BE, NATO, SHBA dhe Erdogan që të hidhet poshtë Deklarata shqiptare

Kryetari i Maqedonisë, Gjorge Ivanov, ka dërguar letër deri te anëtarët e Këshillit Evropian, deri te kryetari i Këshillit Evropian, Donald Tusk, deri te sekretari gjeneral i NATO-s, Jens Stolenberg si dhe deri te të dy partnerët strategjik të Maqedonisë, kryetarit të SHBA-së, Donald Trump dhe deri te kryetari i Turqisë, Rexhep Taip Erdogan, që të anashkalojnë Deklaratën shqiptare të partive shqiptare në Maqedoni të inicuar nga kryeministri shqiptar Edi Rama, përcjell Telegrafi Maqedoni.

“Në prag të mbledhjes së Këshillit evropian, më lejoni të ju njoftoj me situatën e tanishme dhe me çdo gjë që ndodh në Maqedoni.


Maqedonia tashmë ka dy vite e gjysmë që është duke kaluar nëpër një krizë të thellë politike. Me rolin e lehtësuesve të BE-së dhe SHBA-ve arriti Marrëveshja e Përzhinos thelbi i së cilës ishte organizimi i zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në kushte të drejta dhe demokratike dhe formimin Qeverisë së Republikës së Maqedonisë, ku fillimisht do të përqëndrohet në prioritetet e reformave urgjente…

Deklarata e Tiranës është bërë një parakusht për formimin e Qeverisë së Maqedonisë.

Deklarata është një dokument i pas zgjedhjeve të miratuar në një shtet tjetër dhe në kabinetin e kryeministrit të një vendi të huaj. Me këtë platformë rrezikohet sovraniteti dhe pavarësia e shtetit, duke e çuar Republikën e Maqedonisë në një pozitë të nënshtrimit apo varësisë në lidhje me një vend tjetër. Zbatimi i platformës nënkupton ndryshime në Kushtetutë që do të rrezikonte karakterin unitar të shtetit’.

Ivanov ndër të tjera në letër shkruan se denoncimi dhe hedhja poshtë e këtij dokumenti është mënyra e vetme për dalje nga kriza për të cilën gjendemi dhe se vetëm në këtë mënyrë do të arrihen qëllimet e Marrëveshjes së Përzhinos, para se gjithash reformat urgjente me prioritet, stabilizim të politikës, ulje të tensioneve ndëretnike dhe ndërpartiake në Maqedoni si dhe kthimin e vendit drejt rrugëtimit euroatlantik.

Ai më tej shton se në këtë kontekst, kjo platformë e dëmshme, publikisht të hidhet poshtë nga ana e Bashkimit Evropian, NATO, kryetari i Turqisë Erdogan dhe SHBA.

‘Si kryetar i Republikës së Maqedonisë, kandidat që një kohë e gjatë për anëtarësim të vendit në Bashkimin Evropian dhe në NATO, pres që të angazhoheni dhe të na ndihmoni, sepse e ardhmja dhe perspektiva e bashkatdhetarëve të mi është përpara një sfidë shumë serioze”, thuhet ndër të tjera në letër. /Telegrafi/