LAJMI I FUNDIT:

Ismaili e njofton ambasadorin francez për Rregulloren e BQK-së: Nuk kufizon aktivitetin këmbimor

Ismaili e njofton ambasadorin francez për Rregulloren e BQK-së: Nuk kufizon aktivitetin këmbimor

Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, Ahmet Ismaili takoi sot ambasadorin e Francës në Kosovë, Olivier Guerot me të cilin biseduan lidhur me aktualitetet në sistemin financiar të vendit dhe zhvillimet makroekonomike.

Po ashtu në njoftim bëhet e ditur se gjatë bisedës Ismaili e ka njoftuar ambasadorin francez edhe në lidhje me perspektivën, objektivat dhe Planin Strategjik të BQK-së, nismat për avancimin e sistemit financiar, përfshirë projektin për modernizimin e sistemit të pagesave dhe synimin për anëtarësimin në Zonën e Vetme të Pagesave Euro të Bashkimit Evropian, i njohur si SEPA.


Me këtë rast, guvernatori i BQK-së shprehi vlerësimet dhe konsideratat më të larta për mbështetjen nga Banka e Francës, e cila ka kontribuar në projekte të ndryshme në ngritjen e kapaciteteve profesionale, dhe ndihmën e popullit francez për popullin e Kosovës.

Siç thuhet në njoftim, në takim u diskutua edhe për avancimin e kornizës rregullative dhe ligjore, duke përfshirë Ligjin për Bankat, Ligjin për Shërbimin e Pagesave dhe ligje tjera, të cilat kanë si synim përafrimin me direktiva të BE-së.

“Po ashtu, është biseduar lidhur me veprimet e ndërmarra ndaj parave të falsifikuara, si dhe planet tjera për fuqizimin e integritetit të sistemit financiar, me praktikat më të mira ndërkombëtare.

Guvernatori Ismaili e informoi Ambasadorin Guérot mbi Rregulloren për Operacione me Para të Gatshme, duke sqaruar aspektet kryesore, efektet dhe argumentet për pozicionin e saj. U sqarua se Rregullorja avancon integritetin e sistemit financiar dhe përafron Republikën e Kosovën me standardet e BE-së”, thuhet në njoftim.

Ndërkaq, ambasadori francez u njoftua edhe për Planin e BQK-së për zbatimin e kësaj Rregulloreje në praktikë, si dhe veprimet për lehtësimin e efekteve të saj, krahas angazhimit konstruktiv të BQK-së për lehtësimin e transferimit të mjeteve sipas modelit të propozuar dhe gatishmërisë për të diskutuar opsionet e mundshme ligjore.

“Sa i përket shqetësimeve të ngritura lidhur me ndikimet e saj në një komunitet të caktuar, u sqarua se Rregullorja në fjalë nuk ndalon apo kufizon pranimin e mjeteve në llogaritë bankare në Euro dhe as nuk kufizon aktivitetin këmbimor që kryhen nga institucionet financiare bankare ose jo-bankare të licencuara nga BQK.

Në fund, u tha se BQK në mënyrë aktive po vazhdon me aktivitete të informimit dhe sensibilizimit, përfshirë lëshimin e linjës pa pagesë të dedikuar për qytetarët tanë dhe materiale tjera informuese, duke ftuar ata që ende nuk kanë llogari të hapin një të tillë te secila bankë, e cila për grupe të cenueshme nuk ka tarifë të hapjes e as të mirëmbajtjes, nga 1 janari 2024 me Rregulloren e BQK-së për Qasje në Llogari Pagese për Shërbime Bazike”, thuhet në njoftimin e BQK-së. /Telegrafi/