Islami: Petkoviq dështoi t’i keqpërdorë maturantët në veri

Eksperti i sigurisë, Avni Islami, e ka cilësuar si përpjekje të dështuar të drejtorit të ashtuquajturës Zyrë për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, për t’i keqpërdorur maturantët serbë në veri të Mitrovicës.
Në sheshin “Car Llazar” në veri të Mitrovicës, disa maturantë serbë sot kanë festuar përfundimin e shkollës duke defiluar me flamuj dhe duke kënduar.
Gjatë festimeve, janë shënuar disa provokime, por Policia e Kosovës ka reaguar menjëherë për të parandaluar përshkallëzimin e situatës.
Islami tha se "përpjekjet e Petar Petkoviqit për ti keqpërdor maturantët në veri të vendit, dështuan sot!"
Ai ka cituar zëvendësdrejtorin i Policisë së Kosovës per veriun, Veton Elshani, i cili ka thënë se “ajo që ndodhi në Mitrovicën e Veriut ishte një INCIDENT MINOR, pra një situatë që nuk meriton zhurmën e madhe që po i bëhet”.
“Si dikush që e ndjek nga afër sigurinë dhe paqen në vend, më vjen keq që një moment i zakonshëm, i tejkaluar pa pasoja, po përdoret për të ndërtuar një narrativë të frikshme”, ka shkruar Islami, transmeton telegrafi.
Islami i është drejtuar me një thirrje Petar Petkoviqit, “Mos i përdorni prapë fëmijët dhe incidentet e vogla për propagandë politike”. /Telegrafi/





















































