LAJMI I FUNDIT:

Ishte premtuar, por ende nuk është realizuar – fermerët vazhdojnë të presin kompensimin për ngordhjen e lopëve nga sëmundja gungore

Ishte premtuar, por ende nuk është realizuar – fermerët vazhdojnë të presin kompensimin për ngordhjen e lopëve nga sëmundja gungore

Fermerët të cilët kanë pësuar humbje të gjedheve të prekur me sëmundjen e lëkurës, Dermatoza Nodulare (sëmundja gungore), ende nuk iu është dhënë kompensimi i premtuar.

Kjo është konfirmuar për Telegrafin nga zëdhënësi i Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë, Lamir Thaçi.

Sipas tij, AUV në koordinim me institucionet tjera të Republikës se Kosovës (edhe më tej) është në procedurë që të fillohet me kompensimin e fermerëve për kafshët të cilat kanë ngordhur nga Sëmundja e lëkurës, Dermatoza Nodulare.

Ndërkaq, ministri i Bujqësisë, Memli Krasniqi, kohë më parë kishte premtuar se do të ndahen 1.1 milion euro për parandalimin, luftimin dhe kompensimin e fermerëve që kanë pësuar humbje te gjedheve nga kjo sëmundje.

“Qeveria e Kosovës ka marrë vendim që të ndajë rreth 1.1 milionë euro për parandalimin dhe luftimin e dermatozës nodulare të gjedhit. Këto mjete do të jenë të mjaftueshme për të përfunduar vaksinimin e të gjitha gjedheve në territorin e Republikës së Kosovës e po ashtu edhe kompensimin e fermerëve që kanë pësuar humbje të gjedheve nga kjo sëmundje. Unë do të vazhdojë të jem në kontakt me Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinarisë në mënyrë që vaksinimi të ketë efektin e vet, e po ashtu që edhe kompensimi për fermerët që kanë pësuar, të bëhet me kohë”, kishte shkruar Krasniqi në Facebook.

Ndryshe, Sëmundja e lëkurës tek kafshët, Dermatoza Nodulare, ishte përhapur vitin e kaluar në të gjitha komunat e Kosovës.

Nga kjo sëmundje janë prekur 2609 krerë, ku si pasojë kishin ngordhur mbi 200 krerë lopë. /Telegrafi/