LAJMI I FUNDIT:

Ishte një kohë kur ekzistonte horizonti …

Ishte një kohë kur ekzistonte horizonti …

Ishte një kohë kur njerëzit jetonin me pyetjet e mëdha dhe jetonin sipas kodeve, sepse kishin një sens përkatësie më të fortë ndaj klanit, natyrës dhe universit. Ndiheshin pjesë e së tërës dhe jo e tëra. Shihnin gjithmonë një horizont…

Natën mrekulloheshin duke kundruar qiellin me yje, ngazëlleheshin për lindjen e një fëmije, e shikonin vdekjen natyrshëm ndonëse ju dhembte, por këtë të fundit e jetonin deri në fund si pjesë të jetës. Nuk i iknin asaj dhe mundoheshin të gjenin kuptimin e jetës brenda saj.


Ishte një kohë kur njerëzit mrekulloheshin, thjesht dinin të habiteshin përballë të panjohurës dhe nuk iu bëhej ta zotëronin atë. Nuk e ndrydhnin brenda skemave të mendjes së tyre, por ndiheshin të lirë brenda jetës.

Dhe, erdhi një ditë që njeriu vendosi të çlirohej nga dogmat fetare dhe ato metafizike. E atëherë vrapoi ta kapte jetën, ta burgoste atë brenda një laboratori, ta llogariste atë me shifra, ta hulumtonte në enë kimike, ta shikonte nëpërmjet teleskopëve dhe mikroskopëve. Nuk donte të mrekullohej më përballë saj, por ta sundonte atë dhe ta shpjegonte në gjithçka e shpjegimit të tij, t’i ngrinte altare mbi lartësi. Krijoi një dogmë të re: shpjegimin e tij!

Harroi botën e jetës, sepse (mendoi se) e rrethoi atë dhe ndërkohë ende sot nuk e pyet veten: pse qan një fëmijë kur del nga barku i nënës së tij? Pse fjalët e para që ai mëson janë “nënë” dhe “babë”? Pse përqafon? Pse i hap sytë çdo ditë kur ngrihet dhe pse i mbyll ato kur fle në darkë? Pse kur dikush largohet ndjehet dhembje?

Nuk e pyet më veten pse tani ka një telefon në dorë dhe po lexon atë që kam shkruar unë? Pse ndodhet aty ku është dhe jo diku tjetër? Ka shumë pse që vijnë nga bota e jetës dhe ashtu si pa e kuptuar, na çojnë drejt horizontit të saj: Ku?

Përtej?

Kushedi!