LAJMI I FUNDIT:

A ishte antikushtetuese ceremonia e inaugurimit të Presidentit?

A ishte antikushtetuese ceremonia e inaugurimit të Presidentit?

Ndonëse jozyrtarisht spekulohet se ceremonia e inaugurimit të presidentit, Hashim Thaçi, mund të ketë kushtuar mbi 1 milion euro, analistët dhe partitë opozitare ceremoninë e konsiderojnë si jokushtetuese, pasi që Kosova është sistem parlamentar dhe jo presidencial.

Edhe analisti politik, Halil Matoshi, thotë se Kosova është shumë vend i varfër që t’i përballojë shpenzimet e ceremonisë së Thaçit.


Matoshi thotë se ceremoni të tilla vijnë vetëm nga shtetet autokratike e diktatoriale.

“Së pari, të shpenzosh rreth një milion euro në vendin më të varfër të Evropës për një ceremoni bajate, pasi që presidenti tashmë e kishte bërë betimin para Kuvendit, është megalomani dhe fundësisht papërgjegjshmëri në shpenzimin e parasë publike. E dyta, vetëm vendet me sistem presidencial (e jo republikat parlamentare ku presidenti zgjidhet nga kuvendi) organizojnë promocione të tilla presidentësh. Dhe për më keq, karnavale të tilla organizojnë ‘Junatt’ ushtarake dhe vendet autokratike e diktatoriale”, ka thënë Matoshi.

Matoshi ndër të tjera ka thënë se ceremonia e Thaçit është zbehur tej mase nga niveli i ulët i diplomatëve, të cilët kanë marrë pjesë.

“Në anën tjetër, ‘festën e Thaçit’ e zbehu tej mase niveli i ulët i diplomatëve, të cilët morën pjesë. Në këtë ceremoni ishin vetëm dy kryetarë shtetesh, ai i Shqipërisë dhe i Kroacisë. Dhe kjo është dëshmia më e mirë se Hashim Thaçi nuk gëzon ndonjë simpati nga evropianët”, ka thënë Matoshi.

“Vetëvendosje” konsideron se shpenzimet e shumta të kësaj ceremonie janë të tepërta.

Adonis Tahiri nga ky subjekt politik thotë se kjo ceremonia e Thaçit nuk i ka shërbyer publikut, shkruan “Zëri”.